Lajme Shqip Monday, 19 March 2012 13:45

Prishtinë – Ministri i Diasporës i Kosovës, Ibrahim Makolli, në Forumin Pan Evropian, në Munih, organizuar nga Unioni Panevropian Gjerman, tha se “momenti i duhur që BE-ja të ndërtojë unitetin rreth statusit të Kosovës është tani kur Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjet për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e menaxhimit të kontrolluar të kufirit”.

“Këto marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë paraqesin një predispozitë të mirë që edhe pesë vendet tjera të përqafojnë qëndrimin e 22 vendeve të tjera anëtare, të njohin pavarësinë e Kosovës”, u shpreh ai.

Ministri Makolli theksoi se, “është e qartë që Qeveria dhe qytetarët e Kosovës çështjen e integrimin evropian e shohin si interes strategjik, që nënkupton ecjen në dy drejtim: në rrumbullakimin demokratik të pavarësisë së mbikëqyrur dhe, njëkohësisht, ecjen drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”.

Në Forumin Pan Evropian në Munih morën pjesë eurodeputetë, politikanë e historianë edhe nga vende të tjera të BE-së dhe Ballkanit.