Lajme Shqip Wednesday, 30 May 2012 20:29

Mitrovicë – Persona të panjohur sot kanë sulmuar dhe dëmtuar rëndë një makinë të misionit EULEX në pjesën veriore në komunën e Zubin Potokut, por fatmirësisht asnjë nga pjesëtarët e misionit në makinë nuk janë lënduar.

Sipas misionit EULEX, sulmi ka ndodhur sot pasdite, kur makina e tyre po lëvizte në drejtim të stacionit policor, ndërsa brenda saj ishin pjesëtarët e misionit të cilët ishin nisur në detyrë për të kryer detyrimet e tyre në këtë stacion policor në pjesën veriore të Kosovës. 

“Sulmi ndaj EULEX është sulm ndaj Bashkimit Evropian dhe ne këtë e dënojmë ashpër”, ka deklaruar zëdhënësi i EULEX-it, Nikolas Hoton. 

Sipas Policisë së Kosovës, sulmi ka ndodhur në qendër të Zubin Potokut, kur një grup qytetarësh janë grumbulluar kanë rrethuar makinën dhe kanë filluar ta godasin dhe të thyejnë atë me mjete të forta. Policia theksoi se ka ndërmarrë të gjitha hetimet për të zbardhur sulmin. (LajmeShqip.com)