Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 09:52

Tiranë – Kufizimi i imunitetit është pika e përbashkët e të dy blloqeve politike, pozitës dhe opozitës, ka thënë Pandeli Majko, ish-kryeministër i Shqipërisë.

“Edhe faktori ndërkombëtar, por edhe Partia Demokratike në një mënyrë të caktuar edhe PS kanë diskutuar çështjen e imunitetit të deputetëve, një çështje e cila kërkon ndryshime të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Nuk mendoj se ndryshimet e kushtetutës duhen bërë me letra bakalli ashtu siç ndodhi herën e fundit. Kjo është një histori që nuk ka nevojë të diskutohet me konferenca shtypi. Ka njerëz të mençur qoftë në të djathtë, qoftë në të majtë të cilët po të ulen mendoj që krahas çështjes së imunitetit mund të nxjerrin disa konkluzione të tjera që do të jenë të nevojshme”, tha ai.

“Aty ku do të ketë le të themi, dallime ne kemi edhe historinë e një referendumi që, pa u politizuar, mund t’i ofrojë publikut një pjesëmarrje për të diskutuar një ligj, i cili është ligji themelor i shtetit shqiptar, vërtetë diskutohet dhe votohet nga politikanët, por nuk është pronë e tyre”, thekson ish kryeministri Majko.