Lajme Shqip Wednesday, 12 June 2013 13:53

Deputeti socialist Pandeli Majko uroi 14-vjetorin e zbarkimit të forcave të NATO-s në Kosovë. 

 Me një mesazh urimi në “Facebook”, Majko uroi kosovarët për përvjetorin e lirisë, ndërsa bëri apel që të mos harrohen personat e humbur gjatë luftës me Serbinë. 
“Gëzuar 12 qershorin, përvjetorin e lirisë Kosova ime. Janë brenda nesh të gjitha ato që kanë ndodhur. Ato bashkëjetojnë me lirinë dhe i japin dimensionet asaj. Liria ka bashkëudhëtare të vet dhimbjen e fitores së saj. Asgjë nuk bëhet asgjë. 
Gëzuar ditën e lirisë vëllezërit dhe motrat e mija në shtetin e Kosovës. Nderim për heronjtë e Kosovës që janë prezent me mungesën e tyre. Jasharët, Lladrovcët dhe Haradinajt dhe të gjithë heronjtë e shqiptarisë janë dhe do të mbeten historia e re dhe e vjetër e provës së mbijetesës së kombit shqiptar. Mos harroni të “humburit”… Ata janë pjesë e lirisë. Një amanet që fle dhe zgjohet me Kosovën. Viti 1999-të duket sikur nuk mbaron e zgjatet edhe sot pa ta dhe me ta. Gëzuar lirinë Kosovë. Gëzuar dhimbjen. Gëzuar amanetin. Lavdi dëshmorëve të Kombit. Mos harroni!”, shkruan Majko në rrjetin social, “Facebook”. 

Mesazhe urimi për Ditën e Paqes në Kosovë, një ditë më parë kanë dhënë edhe krerët më të lartë të Kosovës.