Lajme Shqip Friday, 18 November 2011 15:00

Lushnje – Qeveria shqiptare nëpërmjet një financimi nga fondet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe një grandi të qeverisë japoneze, ka pajisur spitalin e qytetit të Lushnjes me aparaturat dixhitale të fjalës së fundit. Ditën e djeshme një grup inxhinierësh austriake të firmës “Filips” kanë bërë koalidimin  dhe vënien në funksion të aparaturës më moderne të diagnostikimit, tomografisë dixhitale.  Gjithashtu, spitali është paisur edhe me tre autoambulanca të reja.

Sipas n/drejtorit  të spitalit, Josif Prence, këto investime në drejtim të përsosjes së shërbimit  shëndetësor në spitalin e qytetit të Lushnjes janë vazhdim i projektit të aplikuar në muajin janar të këtij viti.

”Paisja e spitalit me aparaturën e skanerit dhe ambulancat, finalizon projektin e qeverisë për modernizimin e ekzaminimeve dhe shërbimin e urgjencës, projekt që filloi  në janar të këtij viti me sjelljen e aparaturave të grafisë, skopisë dixhitale, të monitorëve të urgjencës dhe paisjes së shërbimit laboratorik me një sërë aparaturash diagnostikuese”, tha Prence.

Sipas tij, paisjet janë të teknologjisë së fundit dixhitale, ku masa e rrezatimit te pacientët është e  pallogaritshme krahasuar me aparaturat e përdorura deri tani, të cilat kanë qënë prodhim hungarez i vitit 1985. Skaneri është prodhim austriak i firmës “Filips” i fjalës së fundit shkencore. Prence pohon se, krahas ekzaminimeve radiologjike spitali ofron edhe shërbime të tjera për kryerjen e analizave të ndërlikuara biokimike.