Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 12:16

Të mërkurën, në një konferencë për media në Prishtinë, ajo ka thënë se nëse do të ishte dyshuar për ndonjë krim serioz, hapi i parë do të ishte që vetë të kërkonte heqjen e imunitetit, ngase sipas saj, çfarëdo qëndrimi tjetër, do ta dëmtonte imazhin e Kuvendit dhe të qytetarëve.

Lunaçek ka pranuar se çështja e imunitetit javëve të fundit ka dalë përtej çështjeve ligjore dhe është politizuar, përderisa ka theksuar se në raste të tilla kur ka paqartësi, do duhej të hiqej imuniteti.

Sidoqoftë, ajo ka shprehur besimin se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti dhe se për këtë, sipas saj, ka indikacione që do të gjindet rrugëdalje shumë e shpejt.

Sa i përket ndërprerjes së bisedimeve Kosovë-Serbi, përkatësisht anulimit të raundit të gjashtë, Lunaçek ka thënë se edhe nga ndërmjetësi i BE-së, Robert Cooper ka marrë konfirmimin se Serbia është ajo që po refuzon ecjen përpara në këtë proces.

“Refuzimi i Serbisë për të ecur përpara tash kur janë arritur disa marrëveshje, rrezikojnë statusin e kandidatit të Serbisë. Besoj se me këtë mënyrë si po vazhdon të sillet Serbia do ta humbë edhe mbështetjen e vendeve që e mbështesin”, ka theksuar ajo.

Në këtë proces, sipas Lunaçek, Serbia është fajtore pikë së pari për shkak të mospranimit të vulave doganore të Kosovës, të cilat ajo ka thënë se do duhej të njiheshin qëmoti.

Ndërkohë, duke folur për progresin e arritur në Kosovë në drejtim të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, eurodeputetja ka thënë se ka përmirësime të dukshme dhe në shtator misioni i Komisionit Evropian pritet të nxjerrë vlerësime të reja pozitive.

Lunaçek ka konfirmuar se do të vazhdojë ta përcjellë Kosovën si anëtare e Parlamentit Evropian dhe në vitet në vazhdim si dhe të ndihmojë në ecjen përpara drejt plotësimit të kritereve evropiane.

Në këtë drejtim, ajo ka shtuar se do të angazhohet që të flas edhe me vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën që ta marrin një hap të tillë si dhe të punojë për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. (LajmeShqip.com)