Lajme Shqip Sunday, 30 December 2012 11:05

Bruksel – Bashkimi Evropian nuk do t’iu lejojë serbëve që të kenë shtet brenda shtetit të Kosovës, ashtu siç kanë bërë në Bosnjë, ka thënë raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek.

“Bashkimi Evropian nuk do të lejojë kurrë diçka të ngjashme me Republika Sërpskën në Kosovë”, citon DPA deklaratën e Lunacekut për mediat në Prishtinë. 

Ditë më parë, Beogradi ka dalë me platformë për Kosovën, e cila parasheh një lloj autonomie për komunat me shumicë serbe në veri.

Lunacek ka thënë se propozimi është “i pavlerë” dhe se Serbia dhe Kosova duhet të përqendrohen në zgjidhjen e çështjeve përmes bisedimeve.

Bisedimet teknike mes dy palëve kanë nisur në mars të kaluar, ndërsa, këtë tetor, kanë evoluar në dialog të nivelit të lartë, me takimet e kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.(LajmeShqip.com)