Lajme Shqip Sunday, 24 July 2011 13:57

Tiranë – Pas 11 vitesh qeverisje nga socialistët, bashkia e Tiranës do të drejtohet në 4 vitet e ardhshme nga demokrati Lulzim Basha, një nga figurat më të spikatura të politikës shqiptare nga viti 2005.

Basha mundi me 93 vota kryesocialistin Edi Rama, i cili kërkonte mandatin e katërt në bashkinë më të madhe të vendit.

Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha pritet të nisë zyrtarisht punën të hënën, kur do të zhvillohet edhe mbledhja e parë e Këshillit të ri Bashkiak i dalë nga zgjedhjet e 8 majit.

Sipas ligjit kryebashkiaku i ri, Lulzim Basha duhet të betohet para këshillit bashkiak për të nisur më pas punën në bashkinë më të madhe të vendit. Ndërkaq mësohet se gjatë kësaj mbledhje pritet të ngrihet Komisioni i mandateve, të zgjidhet kryetari dhe zëvendëskryetari i Këshillit, si dhe të zgjidhen anëtarët që do të përfaqësojnë këshillin bashkiak në këshillin e qarkut.