Lajme Shqip Tuesday, 31 January 2012 11:41

Tiranë – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë vizitës së tij në Washington, u prit në një takim të veçantë në Departamentin e Shtetit nga Zëvendës Ndihmëssekretari i Shtetit Amerikan për Europën, Phil Reeker.

Në këtë takim, Kryebashkiaku Basha e ka njohur zotin Reeker me projektet e tij në krye të Bashkisë për ta bërë Tiranën një qytet atraktiv për investime. Basha ka nënvizuar si prioritet të punës së tij zhvillimin ekonomik dhe rritjen e shanceve të punësimit. Ai tha se, qëllimi i vizitës së tij është të prezantojë potencialet që ofron Tirana për investime, por edhe lehtësitë që ofron Bashkia për ata që zgjedhin Tiranën si destinacion të planeve të tyre të investimit.

Tirana, ka theksuar Basha në këtë takim, “mirëpret investitorët amerikanë në përpjekjen për një Tiranë të shekullit të XXI”.

Kësaj i shërben, sipas Bashës, edhe angazhimi i ekspertëve më të mirë të urbanistikës për Planin Urbanistik, por edhe për projektet strategjike si zgjatimi i bulevardit, konkursi për projektin e të cilit zhvillohet me 9 mars, apo projekti i Tramit, rehabilitimi i Lumit të Tiranës etj.

Reeker vlerësoi projektet e zotit Basha si dhe prioritetin e tij për një Tiranë të zhvilluar, si kusht për mirëqënien e qytetarëve të saj.

“Jam tepër i kënaqur dhe i nderuar që u takova me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Basha dhe i urova mirëseardhjen në Uashington. Patëm një ditë të këndshme për të ndarë eksperiancat dhe jam i bindur se, do të kemi takime të tjera të vlefshme. Basha është këtu dhe pres ta takoj sërish atë kur unë të vizitoj Tiranën”, është shprehur Reeker.

#############

Tiranë – Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, takohet sot me kryetarin e Bashkisë të Washingtonit Vincent Gray.

Gjatë qëndrimit në Washington, Kryebashkiaku Basha ishte ftuar dje në qendrën e studimeve të avancuara ndërkombëtare SAIS, ku ai ka folur për vizionin e tij si kryetar i bashkisë së kryeqytetit.  I pyetur pas takimit edhe për ngjarjen e 21 janarit, Basha tha se është e rëndësishme që procesi të bazohet në ligj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha tha se si kryetar i qytetit më të madh e të rëndësishëm të Shqipërisë, gjithë energjia e tij do të drejtohet drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve të saj.

Basha tha se problemet e Tiranës janë të shumta dhe nuk mund të zgjidhen brenda 24 orësh, por ai shtoi se për zgjidhjen e tyre ai do të tërheqë  mendimin e qytetarëve dhe do ta mbajë bashkinë larg politikës.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që procesi të eci në parametrat e shtetit ligjor  dhe në këtë kuptim çdo aktor duhet të udhëhiqet pikërisht nga ligji  dhe nga nevoja për të ekzekutuar  brenda kornizës ligjore përgjegjësitë që ka. Kemi arritur të nxjerrim bashkinë e Tiranës nga vorbulla e  konfliktit politik dhe orientimin e saj 100%  tek problemet, sfidat, dëshirat dhe aspiratat e qytetarëve. Bashkia është e hapur për qytetarët  jo vetëm me takimet me mua personalisht  por edhe përmes kontakteve  të drejtpërdrejta me njerëzit. Gjithashtu qytetarët janë të përfshirë në vendimmarrje. Asnjë vendimmarrje e rëndësishme nuk është bërë pa pjesëmarrjen e qytetarëve.”, është shprehur Basha.

Gjatë fushatës elektorale Basha premtoi të zgjidhte një prej problemeve më të mprehta për Tiranën, siç ishte ai i regjistrimit të banesave.  Ai ka theksuar se hipotekimi pritet të përfundojë brenda vitit 2012.

“Ministria e Transportit dhe e Drejtësisë janë mbështetëse  të procesit të hipotekave dhe falë kësaj ne kemi arritur të avancojmë shumë mirë me një pjesë të pallateve me leje por të pa hipotekuara. Me mbështetjen e tyre do të arrijmë t’a finalizojmë këtë proces brenda një kohe të shkurtër, brenda vitit 2012”.