Lajme Shqip Tuesday, 19 July 2011 10:53

Tiranë – Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, do të bëjë betimin në këtë post më 25 korrik. Sipas sekretarit aktual të Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj, Këshilli i ri Bashkiak do të mblidhet më 25 korrik në orën 10:00 dhe në këtë mbledhje kryetari i ri i Bashkisë së kryeqytetit shqiptar, Lulzim Basha, do të bëjë betimin para anëtarëve të rinj të Këshillit. Këshilli i ri bashkiak do të ketë 55 anëtarë.

Sipas tabelës përmbledhëse për Tiranën, në bazë të votave të marra në zgjedhjet vendore të 8 majit, koalicioni i djathtë “Aleanca për qytetarin” do të ketë 28 vende në Këshillin bashkiak të Tiranës, ndërsa koalicioni i majtë “Aleanca për të ardhmen”, 27 vende. Duke iu referuar Ligjit për pushtetin vendor, mbledhja e parë është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve.

Në mbledhjen e parë të Këshillit bashkiak, e cila do të drejtohet nga anëtari më i ri në moshë, ngrihet komisioni i mandateve, miratohen mandatet e anëtarëve të këshillit, bëjnë betimin këshilltarët, zgjidhet kryetari dhe nënkryetari i Këshillit, si dhe zgjidhen anëtarët që do të përfaqësojnë Këshillin komunal ose bashkiak në Këshillin e qarkut dhe ata pajisen me mandatin e përfaqësimit.

Ndryshe, nga ritualet e zakonshme në ndërrim kryetarësh, ish-kryetari i Bashkisë, Edi Rama, ka deklaruar se nuk do të jetë i pranishëm në marrjen e postit nga kryebashkiaku i ri, Basha. Sipas tij, ky post është joligjitim.

Dje 10 drejtorë të drejtorive të ndryshme në Bashkinë e Tiranës kanë dhënë dorëheqjen. Në një deklaratë të bërë publike, të firmosur me emrat e tyre, ata thonë se “drejtuesi i ri nuk ka legjitimitet”.

Dorëheqja është dhënë edhe nga dy nënkryetarët e Bashkisë, Albana Dhimitri dhe  Vali Bizhga, si dhe gjithë stafi i ngushtë i Edi Ramës.