Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 13:00

Tiranë-Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, theksoi , gjatë një konference për shtyp lidhur me analizën e punës së bërë në 100 ditët e para në krye të këtij institucioni, se “në qendër të veprimtarisë së bashkisë së kryeqytetit janë qytetarët dhe e vetmja mënyrë për të trajtuar problemet e tyre është duke i dëgjuar ata”.

“Bashkëbisedimi çdo javë me qytetarët ka qënë i frytshëm dhe një mënyrë me këmbë në tokë për të matur eficencën e bashkisë”, tha Basha. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u shpreh se “një premtim i mbajtur nga bashkia është hipotekimi i banesave në Tiranë, që do të zhvillohet në 3 faza”. “Faza e  parë e këtij procesi ka përfunduar me dërgimin e dosjeve të objekteve me lejet e shfrytëzimi, ndërsa faza dytë do të përfundojë brenda 3 -4 javëve”, tha Basha.

Sipas tij, premtimi për dhënien e hipotekave për të gjithë qytetarët do të jetë brenda afateve të caktuara. Kryebashkiaku Basha tha se “mbajtëm premtimin për mbrojtjen nga veprimtaria e paligjshme e tregjeve dhe njësive tregtare, mbrojtjen e konsumtaorit nga mallrat pa cilësi, nga mungesa e kushteve higjieno-sanitare dhe spekullimi me çmimet”.     

“Ne krijuam Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit, që do ketë për qëllim mbrojtjen e konsumatorit të Tiranës. Kjo agjenci do të zbatojë ligjin kundër çdokujt që abuzon me çmimet dhe cilësinë e produkteve”, tha Basha.

Ai u shpreh se hoqëm dhe reduktuam 60 taksa në Tiranë. Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, duke përmendur gjithashtu premtimin për punësimin, tha se “po punohet për hapjen e sa më shumë vendeve të punës”.   

“Brenda 100 ditëshit spikat premtimi ynë për punësimin. Kjo është një çështje që nuk zgjidhet brenda 100 ditësh, por ajo që mund të bëjmë ne është të hidhen hapat e duhur për të ardhmen”, tha Basha.

Ai shtoi gjithashtu si një nga premtimet e mbajtura dhënien e “Kartës së studentit” , një marrëveshje e nënshkruar ditët e fundit me rektorët e universiteteve të Tiranës”.