Lajme Shqip Sunday, 27 November 2011 12:41

 

Në Luginën e Preshevës nesër mbahen protesta kundër diskriminimit të shqiptarëve nga ana e pushtetit serb. Protestat mbahen në komunat e Preshevës dhe Bujanovcit, ku ftohen të gjithë shqiptarët e këtyre trevave për masivitet, me qëllim të shprehjes së pakënaqësisë kundër diskriminimit. Siç raporton agjencia e lajmeve “INA”, Vendimi për protestat ka ardhur nga këshilli i tre komunave të këtij rajoni, i cili muaj më parë mori vendim për organizimin e protestave kundër pushtetit të Beogradit për diskriminimin e theksuar dhe anashkalimin e këtyre vendbanimeve shqiptare. 

Protesta vjen në ditën kur shënohet 99 vjetori i Pavarësisë së shtetit shqiptar dhe Ditës së Flamurit. Protesta shpreh edhe revoltën për moslejimin e përdorimit të flamurit kombëtar në këto komuna. Ndërkohë, me rastin e 28 Nëntorit, në fshatin Maxhere të Karadakut të Preshevës do të mbahet përvjetori i daljes së parë publike të UÇPMB-së në këtë rajon në konfliktin e vitit 2000.