Lajme Shqip Monday, 19 August 2013 14:57

Tiranë – Analisti Fatos Lubonja, në një shkrim të publikuar tek e përditshmja “Panorama” mbi debatin e fundit për SHQUP-in, shprehet se akti i Berishës është i turpshëm. Sipas tij, ky është një akt plaçkitje.
“Së pari, s’ka qytetar normal të qytetit të Tiranës që të mos e përjetojë atë si një akt plaçkitjeje të pronës publike. Dhe kjo pikërisht në momentin kur kjo parti do të duhej të ishte më kokulur se kurrë, pasi është ndëshkuar me votë pikërisht për arrogancë, prepotencë dhe për politika plaçkitëse të pronës publike. Mesazhi është se s’ka shpresë që kjo parti të reflektojë qoftë edhe një sekondë për dënimin që i dha publiku.
Por ky akt ka edhe simbolika të tjera. Kalimi i PD sot te godina e selisë së Shtëpisë Qendrore të Oficerëve, me një histori dhe arkitekturë që të kujton ndërtesat e regjimit, sikur i heq edhe leskrën e fundit të hipokrizisë kësaj partie, që në fakt ka qenë trashëgimtare e PPSH-së si në frymë, edhe në stil. Ideja se në atë godinë do të jetë selia e partisë që lindi nga lëvizja antikomuniste do t’i japë tashmë edhe një ngjyrim qesharak kësaj ndërtese”, shkruan Lubonja.
Megjithatë, ai thotë se godina aktuale e PD-së, duke parë arkitekturën e zonës, nuk duhet të ekzistojë.
“Nëse doni mendimin tim, godina ku është selia e PD-së nuk duhet të ekzistojë fare atje ku është. Merrni urbanistin më të rëndomtë, tregojini ligjin apo rregulloren urbanistike, dhe do t’ju thotë se në respekt të raportit ndërtim-gjelbërim, ajo godinë nuk duhet të ekzistonte. Pse? Sepse grataçielat rrotull PD-së – e kam fjalën për atë majtas me xhama që është mbi dhjetëkatëshe, atë djathtas që është njëzetepesëkatëshe, atë që po ndërtohet përballë saj, por edhe Torre Drinin pak më prapa, në një qytet normal do të duhej të kishin midis tyre hapësira të gjelbra rreth e rrotull shumë më tepër sesa ç’do të mund t’u krijohej edhe sikur të shembeshin të gjitha ndërtesat që kanë pranë. Me një kalkulim të thjeshtë del se ose këto grataçiela nuk do të duhej të ishin projektuar dhe ndërtuar – dhe ky është mendimi im – ose që godina e PD-së do të duhej të ishte rrafshuar së bashku edhe me ndërtesa të tjera”, shprehet Lubonja.