Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 18:20

Tiranë – Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, deklaroi sot lidhur me gjyqin Meta-Prifti, që po zhvillohet në Gjykatën e Lartë se, “në video-përgjim tregohet qartë se provat janë manipuluar dhe falsifikuar me qëllim për të mashtruar opinionin publik”.

Në një konferencë për shtyp, sekretari i LSI-së, Luan Rama tha se , “akuza është ngritur mbi dëshmi dhe prova të falsifikuara të një dëshmitari , i cili në çdo seancë vihet përballë faktesh e dokumentesh ligjore, që provojnë pathemelësinë dhe falsitetin e akuzës së tij”.

“Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, nuk është në betejë ligjore dhe politike me drejtësinë, por në respekt të autoritetit të organeve të drejtësisë, ai është  në betejë për drejtësinë”, theksoi Rama.

Sipas tij, në seancën gjyqësore të zhvilluar dje dëshmitari i Prokurorisë, biznesmeni Bekim Halilaj, pohoi me një sërë shkresash dhe dokumentesh zyrtare se, akuzat e Dritan Priftit janë jo vetëm një mashtrim, por edhe një manipulim i konkretizuar ky edhe me atë që dokumentohet në video përgjimin e tij.

“Gjithnjë sipas dëshmitarit Halilaj, një sasi nafte prej rreth 30 mijë ton ose e konvertuar në vlerë rreth 10 mijë dollarë i është dhënë në mënyrë të fshehtë që më 10 shkurt pra 3 javë më përpara se është realizuar video përgjimi dhe njëkohësisht tre javë në parë se është caktuar data e ankandit, kompanisë “Tea konstruksion””, tha Rama.

Sipas dëshmitarit Halilaj, vijon ai, dhe dokumenteve që ai referon, pronari i kompanisë “Tea konstruksion” me një marrëveshje, që nuk e ka ditur komisioni i cili zhvillon ankandin, e që mban datën 10 shkurt, për të përfituar sasinë e naftës, është gjithashtu ortak në fabrikën e tullave me bashkëshorten e dëshmitarit tjetër të prokurorisë, Dritan Priftit.

Sekretari i LSI-së, u shpreh se, “mjafton ky fakt për të kuptuar lidhjet, marrëdhëniet, konfliktet e interesit, pazaret apo aferat korruptive, që nga zhvillimet e djeshme e shndërrojnë tashmë procesin gjyqësor, që po zhvillohet ndaj zotit Meta një proces të mbyllur, për të çelur një proces gjyqësor ndaj dëshmitarit kryesor të prokurorisë Dritan Priftit”.