Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 17:30

Tiranë – LSI ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur sot në shkollën “Dora D’istria” në kryeqytet, ku ka rënë suvaja e tavanit në palestrën e shkollës.

Në një prononcim për mediat, nënkryetarja e LSI-së se Tiranes, Blerina Kazaferi, akuzoi kryebashkiakun aktual të Tiranës, i cili me indiferencën e tij po vë në rrezik sigurinë e nxënësve.

“Sot ra edhe një tavan tjetër pas tavanit elektoral të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. Mungesa e një kryetari bashkie në krye të punëve dhe që punon 24 orë për qytetin, po vë në rrezik edhe në sigurinë e fëmijëve tanë”, tha Kazaferi.

Duke vënë në dukje se Edi Rama nuk duhet të vazhdojë turin e gënjeshtrave elektorale, por të shohë realitetin e mungesës së punës nga ana e bashkisë, ajo theksoi se Tiranës nuk i duhen tavane, pemë apo asfalte elektorale, por i duhet një njeri i dedikuar që të punojë për të.

“Tiranës i duhet një njeri i dedikuar që të punojë për të. Tiranës i duhet plani i LSI-së, për të hapur më shumë shkolla të reja, për të punësuar më shumë mësues të rinj, për të rritur sigurinë e fëmijëve tanë në shkollë”, tha nënkryetarja e LSI-së së Tiranës, Blerina Kazaferi.