Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 17:50

Tiranë – Lëvizja Socialiste për Integrim(LSI) përshëndeti të mërkurën marrëveshjen dypalëshe PD-PS për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, ndërsa kërkoi që ky proces të jetë transparent dhe gjithpërfshirës.

“Ky është jo vetëm një hap i mirëpritur, pas një vonese të pajustifikuar, por dhe hapi që parajmëron se mund të krjijohet një realitet i ri në cilësinë e bashkëpunimit në të mirë të reformave integruese, pasi dialogu politik mbetet mjeti i pazëvendësueshëm që reflekton sjelljen europiane të aktorëve politikë në Kuvend”, deklaroi në një konferencë për shtyp sekretari i përgjithshëm i LSI-së Luan Rama.

Ai nënvizoi se reforma zgjedhore duhet të realizohet në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it por më e rëndësishmja sipas tij është të garantohet gjithëpërfshirja dhe transparenca e proçesit.

Sipas Ramës ky proces nuk mund të jetë monopol i dy apo tre partive, pasi dhe partnerët  ndërkombëtarë sugjerojnë përfshirjen në tryezën e punës të aktorëve influentë e të rëndësishëm, por dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile që punojnë me zgjedhjet dhe kanë përvojën për të ofruar kontribute.

Sa i takon aplikimit të sistemit zgjedhor sekretari Rama tha se “LSI synon që të mbërrijmë tek një sistem, i cili e kthen realisht çdo votë të qytetarit në një mandat në Kuvend”.

“Sistemi zgjedhor aktual krijon deformacione dhe për këtë ne kemi projektin tonë që synon të jetë një sistem që e lexon më mirë votën e qytetarit dhe çdo votë të jetë vlerë përfaqësimi në mandatet në Kuvend. Ndoshta një sistem proporcional kombëtar do të ishte zgjidhja më e mirë por dhe sistemi aktual, me një korrektim mund të ishte një zgjidhje”, u shpreh sekretari i përgjithsjëm i LSI-së.