Lajme Shqip Wednesday, 17 July 2013 15:35

Tiranë – LSI ka reaguar me anë të Luan Ramës, në lidhje me akuzat dhe sulmet e njëpasnjëshme të dy kandidatëve për kryetar të PD-së, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, ndaj mazhorancës së re. Sipas Luan Ramës, PD e ka humbur betejën me Ramën dhe Metën dhe për këtë arsye, sipas tij, Olldashi dhe Basha duhet të ndalin fyerjet dhe sulmet, por të merren me partinë e tyre.

“Dua të shpreh keqardhje se fushata për kreun e PD në vend që të jetë fushatë ballafaqimi alternativash ndërmjet dy kandidatëve në garë është një fushatë kundër PS dhe LSI. PD e ka humbur garën me Ilir Metën dhe Edi Ramën, në gara janë Basha me Olldashin dhe duhet ta bëjnë garën me njeri- tjetrin dhe jo duke përdorur etiketime fyese dhe banale ndaj atyre që populli shqiptar i bëri mazhorancë, në të kudërt kjo vërteton se fushata është butafori që nuk do sjelle rivitalizimin e partisë”, u shpreh Luan Rama në një konferencë për shtyp, shkruan tema.

Sa i takon ndarjes së posteve ministrore, Rama tha se për LSI përgjegjësia e qeverisjes është e barazvlefshme si në Kuvend, ashtu dhe ne qeveri.

“Për LSI përgjegjësitë qeverisëse janë të barazvlefshme në qeveri kuvend apo kudo ku duhet të investojmë për një qeverisje të mirë për shqiptarët. Në momentin e duhur ne do përcaktojmë se kush do shkojë në qeveri dhe kush do përmbushë detyrimet parlamentare. LSI ka kapacitet intelektuale dhe qeverisë për të përballuar sfidat qeverisëse. Dua të bëj të qartë se faktori kryesor i LSI ka qenë raporti njerëzor dhe realist që ndërtuam me qytetaret shqiptar. Oferta jonë ishte konkrete dhe ne do te punojmë që të bëjmë të mundur punësimin dhe të zhvillojmë ekonominë me target gjithnjë rritej e të punësuarve dhe uljen e nivelit të varfërisë. Kjo është sfida e qeverisë së re”, tha Luan Rama.