Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 16:39

Tiranë – Nënkryetarja e LSI-së dhe njëherazi kandidatja e Koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetare të minibashkisë nr. 5 në kryeqytet, Erisa Xhixho, reagoi sot për dhunën e ushtruar nga Bashkia e Tiranës mbi simbolet dhe të rinjtë e LSI-së, pas incidentit të ndodhur ditën e sotme, ku policia e Bashkisë së Tiranës ka dhunuar simbolet e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe është konfrontuar me të rinjtë e kësaj force politike.

Xhixho ka shprehur indinjatën e thellë ndaj kësaj sjellje të Bashkisë së Tiranës, duke e quajtur kryetarin e saj Edi Rama si një “Don Kishot, i cili lufton kundër simboleve të LSI-së”.

Sipas saj, Lëvizja Socialiste për Integrim është duke respektuar Kodin Zgjedhor dhe institucionet e administrimit të zgjedhjeve, duke bërë me dije se ligji parashikon që me regjistrimin e kandidatëve për kryetar minibashkie apo bashkie në Komisionin e Zgjedhjeve fushata është e hapur dhe për këtë sipas saj, LSI është brenda rregullave ligjore ku brenda 45 ditëve çdo njeri është i lirë të shprehë opinionin e tij dhe simbolet e partisë që ai beson dhe që do ta votojë.

“Nga ana tjetër, do të shprehja në emër të LSI-së, gjithë indinjatën ndaj sjelljes dhe fobisë që ka Rama ndaj simboleve të LSI-së, duke u sjellë në këtë mënyrë si një Don Kishot ku në qoftë se Don Kishoti merrej me mullinjtë e erës, Rama merret me simbolet e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, vijoi prononcimin e saj për mediat nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho.

Sipas saj, Tirana ka nevojë për një ndryshim të vërtetë ku Kryetari i Bashkisë të merret me problemet, me shqetësimet e qytetarëve dhe zgjidhjen e tyre. “Për këtë do të votojnë shqiptarët më 8 maj, për ndryshimin e vërtetë në Tiranë”, tha ajo.