Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 12:19

Tiranë – Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu keqardhje për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm ku mbeti i plagosur kryeinspektori Ardi Kaja si dhe inkurajon policinë dhe prokurorinë  për një hetim të shpejtë e profesional.

Në një deklaratë për mediat, nënkryetarja e LSI-së Blerina Kazaferi deklaroi se “LSI e denon këtë akt kriminal dhe inkurajon institucionet e zbatimit të ligjit që të vënë përpara drejtësisë autorë dhe cilindo që mund të rezultojë i implikuar me ta”.

Ndërsa në përgjigje të deklaratës së kryebashkiakut Edi Rama i cili e ka lidhur plagosjen e kryeinspektorit të ndërtimores në bashkinë e Tiranës me incidentin e ndodhur në njësinë bashkiake numër 5 në kryqytet, përfaqësuesja e LSI-së e ftoi atë të vetëpërmbahet, të ruajë qetësinë dhe të presë përfundimet e hetimit.

“Kryebashkiaku të mos nxitojë që të bëjë policin, prokurorin, dhe ekspertin, se përpjekjet për ta transferuar pistën e hetimit pa pritur përfundimet e hetimit, janë dëshmia më e qartë e panikut dhe e frikës për humbjen që e pret në zgjedhjet e 8 majit”, përfundoi deklaratën pë shtyp, nënkryetarja e LSI-së Blerina Kazaferri.

Ndërsa burimet zyrtare nga Policia e Tiranës thanë për ATSH-në se “ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së hënës pranë Ministrisë së Mbrojtjes në afërsi të bashkisë, kur kryeinspektori Kaja është qëlluar me armë nga dy persona, të maskuar me motorr, të cilët më pas u larguan menjëherë nga vendngjarja”.