Lajme Shqip Wednesday, 01 August 2012 13:12

Tiranë – Lëvizja Socialiste për Integrim i bëri sot sërish apel klasës politike të votojë më 6 gusht ligjin për heqjen e imunitetit, duke e vlerësuar si një moment të rëndësishëm për vendin.

Në një konferencë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, theksoi se heqja e imunitetit është një detyrim i klasës politike për të bërë të mundur integrimin e vendit. “Heqja e imunitetit është një moment i rëndësishëm për vendin. Duhet të tregojmë se e meritojmë statusin e vendit kandidat”, deklaroi Rama

“LSI fton të gjithë aktorët vendimmarrës të Kuvendit që të lënë mënjanë ambicien partiake dhe të dominuar nga interesat e vendit, në seancën e 6 gushtit të shkojnë për të kontribuar që Shqipëria të hedhë edhe një hap më tej se duke shpëtuar nga imuniteti, për të shënuar një hap pozitiv drejt integrimit”, tha Rama. Rama theksoi se “qasja ndaj çështjeve të tilla nuk mund të jetë një flamur beteje për partitë politike, apo test i forcës të një partie ndaj një partie tjetër, por një test se sa forcat politike janë të angazhuara për të kontribuar për proceset integruese dhe në mënyrë që vendi të marrë statusin e kandidatit në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë”.

“Më 6 gusht në parlament do të shqyrtohet propozimi që përmes heqjes së imunitetit të përmbushet edhe një detyrim tjetër që Shqipëria ka përballë sfidës europiane”, tha Rama. Sipas tij, “çështja e imuniteti është diskutuar gjatë dhe është mbërritur në kushtet kur duhet të realizohet kjo detyrë”.
Rama e cilësoi si të papranueshme retorikën politike, duke shtuar se imuniteti nuk është luftë mes palëve dhe se ndërkombëtarët kanë bërë gjithnjë apel për heqjen e imunitetit.
Sipas tij, LSI edhe për këtë çështje do të kontribuojë që të shkohet te përmbushja e këtij vendimi. “Pritet që Partia Socialiste të shfaqet në atë dimension që meriton vendi, dhe se ndryshimet kushtetuese nuk duhet të përdoren si pretekst për një çështje të tillë”, tha Rama, duke apeluar në emër të LSI-së që kolegët socialistë të japin votën e tyre më 6 gusht për heqjen e imunitetit.

“Heqja e imunitetit nuk e cënon personalitetin apo integritetin e askujt. Ashtu sikundër nuk është një moment apo test force, por për të parë dhe kuptuar sesa forcat politike janë të gatshme që të kontribuojnë në plotësimin  e kushteve të vena nga BE, me qëllim që në 100 vjetorin e vendit të mund t’i sjellë asaj statusin e vendit kandidat. Heqja e imunitetit i shërben integrimit ndaj opozita të bashkëpunojë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama. (LajmeShqip.com)