Lajme Shqip Friday, 18 November 2011 13:15

Londër – Në Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike në Londër, presidenti i Serbisë Boris Tadiç ka mbajtur një ligjeratë 60 minutëshe gjatë së cilës është përballuar me 2 pyetje të Arian Krasniqit, përfaqësues i diplomacisë nga Ambasada e Kosovës në Londër. Sëpari diplomati Krasniqi e pyeti presidentin Tadiç se çfarë ka bërë Serbia për të zgjidhur problemet në Kosovë dhe për faktin se pse Beogradi vazhdon të financojë strukturat paralele kriminale në Kosovë.

“A është e nevojshme një largim nga nacionalizmi serbian për të zgjedhur këto çështje?”- ka qenë një tjetër pyetje e diplomatit të Kosovës.  Tadiç në këtë moment kërkoi sqarime nga Krasiqni se “çfarë mendoni kur thoni struktura paralale kriminale?” dhe Krasniqi e sqaron.

Ndërsa Tadiç, fillimisht mohon se ka struktura paralele në veri të Kosovës, ai shton më tej se në atë pjesë të Kosovës ekzistojnë struktura plotësisht demokratike të zgjedhura në mënyrë demokratike. Madje, Tadiç shkon më tej kur shprehet se në atë pjesë nuk është e vërtetë se po udhëheqin kriminelët. “Atje ka disa kriminelë dhe ne e dimë se cilët janë ata kriminelë. Por, më duhet të shtoj se ata janë duke punuar ngushtë, shumë ngushtë me kriminelë përtej Urës së Ibrit dhe që janë shqiptarë. Ata bashkëpunojnë shumë shumë ngushtë me njëri-tjetrin”, shprehet me përbuzje Tadiç ndërsa shton se “kriminelët duhet të arrestohen dhe unë po ju pyes juve se pse Bashkësia Ndërkombëtare në Kosovë nuk i ka arrestuar as serbët dhe as shqiptarët deri më sot, të cilën në mënyrë të hapur bashkëpunojnë?”. Sipas presidentit serb “për shkaqe të marrëveshjes ushtarake teknike të Kumanovës, e cila nuk e lejon Serbinë të marrë pjesë në procese për të luftuar aktivitetet kriminele që janë në Kosovë, ne nuk mund t’i arrestojmë ata. Na lejoni ta bëjmë këtë, ne nesër do t’i arrestojmë ata”.

Në këtë moment diplomati shqiptar i sqaron edhe njëherë presidentit serb se ajo nuk ishte pyetja e tij. “Pyetja ime është pse i financoni strukturat kriminele”-, dhe Tadiç këtu reagon i nervozuar dhe duke mohuar financimin e tyre, dhe i kërkon diplomatit shqiptarë të Kosovës që të flasi hapur dhe në mënyrë të drejtë duke shtuar se “Serbia po lufton kriminelët”- dhe Tadiç personalisht rrezikon edhe jetën e tij pasi kriminelët po arrestohjen bashkë me DEA-n ameriakne.

Për më shumë, Tadiç akuzoi EULEX-in që nuk po i arreston ata kriminelë. (LajmeShqip.com)