Lajme Shqip Sunday, 26 August 2012 14:25

Prishtinë – Edhe të shtunën ka vazhduar konfuzioni për njohjen e Kosovës nga shteti i Malit. Derisa misioni i këtij shteti në OKB thotë se nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, njeriu i dytë i ekzekutivit kosovar, Behgjet Pacolli thotë se njohja e këtij shteti ka ndodhur dhe se është duke shkuar për ta takuar presidentin e këtij vendi për ta sqaruar përfundimisht këtë çështje.

Pacolli thotë se nga presidenti i këtij vendi, Dioncounda Traore, ka marrë notën e njohjes verbale. “Duam t’ju njoftojmë se Republika e Malit nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur”, është përgjigjja që ka marrë një medie lokale nga misioni i Malit në OKB.

Njohja nga Mali para disa ditësh është publikuar nga zëvendëskryeministri Pacolli. Të premten, ndërkaq mediet e huaja kanë raportuar se Presidenca e këtij vendi nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Madje sipas tyre, nota verbale e publikuar nga zëvendëskryeministri Pacolli, është e falsifikuar.

Megjithatë, Pacolli insiston që nota verbale është origjinale, ndërsa për të kuptuar pse ka ardhur deri te ky konfuzion, thotë se është nisur për të takuar pikërisht presidentin e Malit, Traore.

Përmes telefonit, Pacolli i ka thënë të shtunën “Zërit”, se ai gjendet në aeroportin e Ghana’s, shtet po ashtu afrikan, nga ku po pret përgjigjen e presidentit të Malit, se cilin drejtim të marrë për ta takuar. “Gjendem këtu në aeroportin e Accra’s dhe po pres përgjigjen e presidentit Traore, se në cilin vend gjendet në mënyrë që të takohem me të dhe të sqaroj punën e këtij konfuzioni të krijuar”, tha Pacolli.

Ai insiston që nota verbale e njohjes është origjinale dhe e nënshkruar nga presidenti Traore. “Unë kam vizituar disa herë Malin, ku më herët jam takuar me ish- presidentin dhe pastaj edhe me presidentin e tashëm Traore, nga i cili më ka ardhur nota verbale për njohje të Kosovës të shtunën e kaluar, me nënshkrimin e tij. Posa e kam marr atë, e kam dorëzuar në Ministri të Punëve të Jashtme. Kjo është e pakontestueshme”, tha Pacolli.

Ai shtoi se lajmin për mosnjohjen e Malit e ka përhapur një agjenci kineze, prapa së cilës, siç thotë Pacolli, është dikush që ka tendenca negative për Kosovën, duke mos përjashtuar edhe Serbinë.

Ndryshe, konfuzioni i krijuar rreth kësaj njohje ka zgjuar edhe reagimin e opozitës. Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi për medie, bën thirrje MPJ-së dhe Qeverisë së Kosovës të ndalë manipulimin e opinionit publik dhe lojën e meritave për njohje, duke dëshmuar seriozitet në punë dhe ngritje të kredibilitetit.

“Kjo sjellje e Qeverisë së Kosovës është një manipulim i ulët me opinionin publik duke i servuar informata konfuze dhe të pakonfirmuara. Veprimet e tilla dëmtojnë rëndë raportet bilaterale mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit. Për më tepër, kjo sjellje dëmton rëndë edhe imazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Kosovës, në përgjithësi dhe dëshmon edhe një herë çakordimin e Qeverisë për sa i përket politikës së jashtme të Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK-së. (LajmeShqip.com)