Lajme Shqip Wednesday, 01 August 2012 12:55

Prishtinë- Republika e Kosovës në fillim të shtatorit do t’u raportojë 91 shteteve që e kanë njohur pavarësinë, me të arriturat gjatë fazës së mbikëqyrjes dhe planifikimet për periudhën pas pavarësisë së plotë. Shpjegime për të arriturat dhe planifikimet do të ketë edhe në letrat drejtuar shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë, por në to do t`u kërkohet që ta njohin deklarimin e 17 shkurtit të vitit 2008.

Strategjia, një draft të së cilës e ka siguruar gazeta Koha Ditore nga burimet diplomatike, parasheh veprime shtesë në drejtim të bindjes së pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të njohur pavarësinë.

Në Spanjë, Sllovaki, Rumani, Qipro dhe Greqi, Republika e Kosovës planifikon që të nisë një delegacion të gjerë ndërkombëtarësh, të cilët do të takohen me autoritetet e shteteve përkatëse, për t`ua shpjeguar nevojën për të marrë vendimin që ta njohin pavarësinë.

Delegacionit që pritet të përbëhet nga zyrtarë të lartë të tri shteteve liderë të BE-së, Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë. Atyre pritet t`u prijë një personalitet me renome në politikën e jashtme evropiane. (LajmeShqip.com)