Lajme Shqip Saturday, 24 August 2013 09:54

Tiranë- Pas Prokurorisë së Tiranës dhe Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, tashmë është Prokuroria e Përgjithshme e cila ka vendosur që të shpenzojë një shumë të konsiderueshme për të ndërtuar një restorant mbi tarracë.

Që në ditët e para të publikimit të nismës “Stoprrënimit. com” nga Partia Socialiste janë të shumtë qytetarët të cilët denoncuan ngritjen e shtesave apo të objekteve. Nga objektet e denoncuara nga qytetarët, është edhe shtesa e kryer nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila i ka bllokuar pamjen e kateve të sipërme të një prej pallateve pas saj.
Të kontaktuar në telefon nhga “Shekulli”, zyrtarët e Prokurorisë shprehen se kanë marrë leje.
Nga këqyrja e dokumentacionit, rezulton se shtesa e ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme është planifikuar jo për zyra, por për një restorant.
Madje, nga hartat që kanë marrë pjesëmarrësit në tender, rezultojnë se është për-caktuar edhe numri i tavolinave dhe i gjithë sistemi i ndriçimit dhe ai audio.
Në total kostoja e shtesës ka kushtuar rreth 5 milionë lekë të reja.
“Fondi limit: 4 997 548 lekë. Burimi i Financimit: Buxheti i Shtet-it. Objekti i kontratës: Shtesë kati me konstruksion metalik i kombinuar të Prokurorisë së Përgjithshme, për vitin 2013, me prokurim elektronik”, thuhet në dosjen e tenderit të zhvilluar nga ky institucion.
Ende nuk bëhet e ditur nëse Organi i Prokurorisë së Përgjithshme ka marrë leje në Bashkinë e Tiranës për shtesë kati,pasi ndërtimi i saj nisi në periudhën parazgjedhore, kur nuk ka pasur mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit në Tiranë.