Lajme Shqip Friday, 02 September 2011 13:16

Prishtinë (PLOTËSUAR 15:11) – Ka përfudnuar protesta e besimtarëve islamë, e mbajtur sot në Prishtinë.

Pas fjalës së Imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqit, protestuesit janë shpërndarë të qetë dhe kanë paralajmëruar veprime të tilla deri në realizimin e kërkesave.

*********************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 14:35) – “Kur’ani nuk lejon kompromis, ndërsa tani i kërkoj Presidentes të mos e nënshkruajë Ligjin pa amandamentet dhe iu kërkoj myslimanëve që kanë libreza partiake t’i shqyejnë dhe t’i gjuajnë ato, sepse partitë na e fyen identitetin tonë fetar”, tha imami Shehfqet Krasniqi.

*********************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 14:23) – Nën brohoritjet dhe ndërprerjet e disaherëshme nga protestuesit, atyre iu është drejtuar në këto momente Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi.

Me adresimin “Lai-lahe-il-All-llah”, imami Shefqet Krasniqi iu është drejtuar protestuesve duke thënë: “Atyre që e duan këtë popull e këtë shtet, jua përcjellë përshëndetjet e mia”.

Ai i ka përshëndetur edhe forcat e sigurisë dhe të gjitha institucionet e vendit.

*********************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 14:19) – “Është e drejtë e jona për të mësuar të drejtën tonë. Unë ju lus të gjithëve që të vetëdijësoheni, në veçanti, për hirë të All-llahut, u bëj thirrje të gjithë kosovarëve që në ritmet e tyre të Xhumasë, qysh nga sot të trajtojnë këtë temë, për të cilën jemi mbledhur sot këtu. Për hirë të All-llahut, ju bëj thirrje që të gjitha familjet myslimane të flasin vetëm për kërkesat tona, për të cilat jemi mbledhur këtu. Për hirë të All-llahut i ftoj të gjitha familjet kosovare që ti vetëdijësojnë dhe edukojnë fëmijët e tyre”, ka thënë Fuad Ramiqi.

*********************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 14:14) – Protestuesit kanë bbrohoritur “All-llahu Ekber, All-llahu Ekber”.

“Ne nuk do të kërkojmë falje që jemi muslimanë këtu ku jemi, as në Lindje as në Perëndim. Ne nuk do të përulemi. Do ta ruajmë dhe do ta mbrojmë dinjitetin tonë fetar dhe kombëtar. Ne nuk duhet dhe nuk guxojmë të nënshtrohemi para askujt për të na larguar nga rruga e drejtë. Ne nuk duam asgjë më shumë se popujt tjerë, qofshin krishterë perëndimorë apo lindorë. Ne kërkojmë që Komuna ta ndajë lokacionin për ndërtimin e xhamisë. Kërkojmë nga Kryeministri që të mbajë premtimin e tij për lejimin e shamisë në shkolla dhe të kthejë edhe njëherë në Parlament votimin për mësim-besim”, ka thënë Fuad Ramiqi.

*********************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 14:09) – Fuad Ramiqi u ka thënë protestuesve se “jemi të vetdijshëm me problemet që ka Kosova dhe Qeveria jemi të vetdijshëm për gjendjen ekonomike, për sovranitetin e Kosovës, jemi të vetdijshëm për nivelin e arsimit dhe të gjitha, e mbi të gjitha jemi të vetdijshëm se duam ta ndërtojmë një shtet demokratik, ku të gjithë mund të jetojnë, pa marrë parasysh përkatësinë fetare dhe etnike”.

“Nga Kuvendi dulen disa njerëz të cilët na fyen në aspektin fetar, na fyen librin tonë të shenjtë, Kur’anin, na fyen nga institucioni i shenjtë i Kosovës. Ata na morën lirinë tonë, na fyen familjet tona dhe ne ua bëjmë me dije se ne i dijmë të gjitha arsyet që ata i kanë shtyrë të na ofendojnë”, ka thënë para proestuesve në Prishtinë, Fuad Ramiqi.

********************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 13:59 – Protestuesit tani janë mbledhur para Teatrit Kombëtar në Prishtinë dhe pritet që atyre t’u drejtohet Fuad Ramiqi, kryetar i Lëvizjes “Bashkohu”.

Ndërkaq, edhe imami Shefqet Krasniqi pritet të mbajë një fjalë para tyre.

********************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 13:44) – Ka përfunduar Falja e Namazit dhe tani protestuesit janë nisur drejt ndërtesës së Qeverisë. Protestuesve iu janë bashkëngjitur edhe pjesëtarë të tjerë nga xhamitë tjera, që ka bërë të shtohet numri i pjesëmarrësve në plus 5.000 tjerë.

Në fjalimet e tyre ata kanë kërkuar ndërtimin e xhamisë në vendin ku ata duan dhe jo aty ku komuna e ka caktuar.

Protesta është organizuar nga Shoqata “Bashkohu”, kurse forca të shumta të Policisë së Kosovës po përkujdesen për sigurinë.

********************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 13:21) – Fuad Ramiqi tha në fjalën e tij drejtuar besmitarëve tha se se në mesin e tyre ka njerëz të dyshimtë të shërbimeve të ndryshme sekrete.

Ai kërkoi nga protestuesit që të kenë kujdes dhe të ruhen për të mos shkaktuar incidente.

Ndërsa nga ndërtesa e Kuvendit janë duke vëzhguar edhe policë amerikanë.

********************************

Prishtinë – Policia e Kosovës e ka rrethuar me barrikada të metalta, të premten, hapësirën në të cilën gjenden ndërtesat e Qeverisë dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës, derisa në trekëndëshin në Sheshin “Adem Jashari”, në afërsi të këtyre selive, rreth 1000 besimtarë islamë po protestojnë kundër vendimeve të fubdit në Kuvendit të Kosovës.

Protesta që nisi në kohën e faljes së Namazit të Xhumasë, po mbahet pasi Kuvendi i Kosovës, gjatë javës nuk i aprovoi dy amandamente me karakter fetar, që kishin të bëjnë me futjen e lëndës së Mësim-besimit nëpër shkolla dhe lejimin e mbajtjes së shamisë në institucionet arsimore të vendit.

Protesta është organizuar nga Shoqata “Bashkohu”, kurse forca të shumta të Policisë së Kosovës po përkujdesen për sigurinë.

Rrethojat e metalta të policisë, u vendosën në momentin kur organizatori bëri të ditur se pas faljes së Namazit, protestuesit do të shkojnë rrugës “Agim Ramadani” dhe Sheshit “Nënë Tereza”, për t’u ndalur në tubim para Qeverisë së Kosovës, ku do të shprehin kërkesat dhe pakënaqësitë e tyre.

Besimtarët islamë në Kosovë po përballen edhe me një çështje të tretë, tashmë, pasi që kanë kërkuar në qendër të Prishtinës një hapësirë për ndërtimin e një xhamie të madhe. Komuna e Prishtinës ua ka ndarë një truall, të cilin ata e kanë refuzuar.

Burime të Portalit LajmeShqip.com, nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se vendi i caktuar nga Komuna për ndërtimin e xhamisë, tek Posta dhe Telekomi i Kosovës, është bërë me plan dhe se është vendi më i përshtatshëm. Burimi nga Komuna ka thënë se hyrja kryesore në Prishtinë konsiderohet rënia nga Veternikut dhe, sipas tyre, ndërtimi i xhamisë në lokacionin e përcaktuar, do të shihej si simbol i parë i shumicës së besimit të fesë islame. Hapësira që Komuana e Prishtinës e ka ndarë për xhaminë, ka mbi 70 ari truall. (LajmeShqip.com)