Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 07:35

Tiranë – Partia Socialiste (PS) pritet të publikojë të hënën (sot) listën e plotë zyrtare të kandidatëve për kryetarë të bashkive dhe komunave për zgjedhjet vendore të 8 majit, ndërkohë që data e sotme është dhe afati i fundit ligjor i regjistrimit të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Kjo u bë e ditur një ditë më parë nga kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili në përfundim të mbledhjes së kryesisë socialiste theksoi se përzgjedhja e kandidatëve ishte e vështirë, prandaj dhe lista e plotë do të publikohej ditën e sotme.

Ndërkohë, kreu socialist, pas mbledhjes së kryesisë bëri të ditur, gjithashtu, rikandidimin e kryetarëve në disa nga bashkitë kryesore të vendit, si në Elbasan ku rikonfirmohet Qazim Sejdini, në Korçë Niko Peleshi, në Vlorë Shpëtim Gjika, në Durrës Vangjush Dako dhe në Fier Baftjar Zeqaj. Ndërsa për bashkinë e Tiranës kryetari aktual i saj, Edi Rama, pak ditë më parë konfirmoi rikandidimin për një mandat të katërt.

 

Në zgjedhjet vendore të 8 majit PS kryeson koalicionin e majtë “Aleanca për të Ardhmen”, të përbërë nga 23 parti.

Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme Partia Demokratike, kryesuese e koalicionit të djathtë “Aleanca për Qytetarin” zyrtarizoi të gjitha kandidaturat e saj për zgjedhjet lokale të 8 majit. Nga 66 bashki demokratët u kanë lënë aleatëve 18 prej tyre, ku më shumë se gjysmat janë zona të lira për LSI-në, ndërsa nga 308 komuna, aleatët kanë marrë 82 prej tyre.