Lajme Shqip Monday, 07 September 2015 15:34

Gjykata e Apelit ka liruar sot nga burgu Alban Morinën, personin që u gjet fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë se i kërcënoi përmes rrjeteve sociale Besnik Mustafën, birin e kryeministrit Isa Mustafa, dhe Arban Abrashin, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në njoftimin për ndërprerjen e masës së paraburgimit të lëshuar nga Gjykata e Apelit thuhet se paneli ka vlerësuar që nuk ka arsye ligjore për caktimin e paraburgimit “ngase nuk ekziston rreziku i përsëritje së veprave penale”.

“Gjykimi është mbajtur, dënimi iu ka shqiptuar dhe në seancën e shqyrtimit fillestar, i pandehuri i ka pranuar veprat penale, është penduar për to, si dhe të dëmtuarve ( Arban Abrashi dhe B.M.), u ka kërkuar falje publike”, thuhet ën komunikatën e Gjykatës së Apelit.

“Gjykata e Apelit konstaton se nuk ka rrethana të posaçme që arsyetojnë frikën e bazuar, se me ndodhjen e tij në liri, do të mund të përsëriste veprat penale, ndaj vlerëson se masa e paraburgimit kundër të pandehurit është e pajustifikueshme”, thuhet në komunikatë.