Lajme Shqip Friday, 03 February 2012 20:44

Kur bëhet fjalë për atë, ai gjithmonë rezulton në fund si i pafajshëm. Ledio Ruçi, djali i deputetit të PS-së, fiton në sallën e gjyqit lirinë e munguar prej 70 orësh. Ndalimi i tij u quajt i paligjshëm, duke iu hedhur poshtë nga gjykata dyshimi i prokurorisë për akuzën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Trupi gjykues, përfaqësuar nga Kastriot Selita, ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për Ledio Ruçin dhe urdhëroi lirimin e tij në sallën e gjyqit. Seanca gjyqësore ndaj 28-vjeçarit Ruçi u zhvillua mesditën e djeshme. Rreth orës 12:00, i riu, ndaluar pasditen e së hënës, pasi në makinën e tij u gjet 1.5 gramë kanabis, ka hyrë i shoqëruar me punonjës të policisë në godinën e Gjykatës.

Ai përfaqësohej nga dy avokatë, ndërsa në sallën ku u zhvillua seanca ndodhej i pranishëm vetëm një shok i tij. Përfaqësuesja e Prokurorisë së Durrësit, Donika Prela, e ka cilësuar që në fillim të paligjshëm kontrollin e dytë në makinën e Ruçit, por ka pranuar si të ligjshëm ndalimin dhe gjetjen e provave, pikërisht qesen e drogës.

Prokurorja është rikthyer dhe një herë në datën 27 janar, kur makina me targa zyrtare e familjes së deputetit, TR 0141 Z, u ndal në një postbllok të policisë së Durrësit. Sipas avokatëve urdhër-ndalimi ishte lëshuar pesë ditë para ndalimit të Ledio Ruçit, çka do të thotë se gjithçka ka qenë e stisur.

Pas 50 minutash seancë, gjyqtari ka dhënë vendimin e tij, duke rrëzuar në bazë të argumenteve kërkesën e prokurorisë. Ai ka deklaruar se bazuar në Kodin e Procedurës Penale, ndalimi më 30 janar i Ledio Ruçit është i paligjshëm, pasi kontrolli i kryer në makinë më 27 janar nuk kishte gjetur asgjë ilegale.

Në këtë mënyrë u urdhërua lirimi i tij në sallën e gjyqit. Sapo ka mbaruar fjalën gjyqtari, Ruçi është lënë i lirë të dalë nga gjykata dhe të kthehet në Tiranë pas rreth 3 ditë izolimi.

Flet Ledio Ruçi: Akuzat, për të njollosur babanë tim


Ledion Ruçi, në sallën e gjyqit dhe menjëherë pas lirimit, ka deklaruar se kjo ngjarje ka dëmtuar imazhin e familjes së tij dhe se çdo gjë është inskenuar më parë. “Gjatë rrugës nga Gjirokastra e deri në Durrës nuk kam parë të më ketë bërë shenjë për të ndaluar asnjë punonjës i Policisë së Qarkullimit, përveç postbllokut të ngritur në Plepa.

Nuk është aspak e vërtetë që nuk kam respektuar policinë. Të gjitha akuzat e ngritura kundër meje janë të pavërteta. Kërkojnë që të njollosin emrin tim dhe të familjes sime duke hedhur baltë dhe stisur gjëra të paqena.

Akuzat e ngritura kundër meje janë të gjitha të stisura. Akuza e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike bëhet vetëm për të njollosur emrin e tij personal dhe të familjes Ruçi