Lajme Shqip Sunday, 04 March 2012 18:20

Prishtinë-Njësia e Kërkimit Shpëtimit(KSH) e Regjimentit të Mbrojtjes Civile(RMC) të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë aksionit të kërkimit, gjeti trupin e pajetë të fëmijës Lorik(Ilir) Bytyqi,(5 vjeçar), nga Dobraja Komuna e Lipjanit, i cili ishte mbytur dje pasdite në lumin e fshatit.

Viktima iu dorëzua ekipit të Mjekësisë Ligjore për procedura të mëtejshme. Në një komunikate për shtyp, FSK-ja bën të ditur se viktima u gjend nga njësia e Kërkim Shpëtimit, në orën 11:05 minuta, rreth një kilometër nga vendi i ngjarjes, pas katër orë kërkimi të pandërprerë, vetëm gjatë ditës së diel.

Forca e Sigurisë së Kosovës,sot(04.03.2012), kishte angazhuar në operacion njësinë e  Kërkim Shpëtimit, në përbërje prej 30 pjesëtarëve, të cilët filluan aksionin e kërkimit në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm, pikërisht në vendincident, deri në gjetjen e viktimës. Rreth orës 11:30, operacioni i FSK-së në Dobrajë ka përfunduar.

Përndryshe njësia e Kërkim Shpëtimit e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka qenë e angazhuar edhe me datën 3 mars 2012, nga ora 15:00 deri në orën 23:00, kur edhe u ndërpre kërkimi për shkak të vështirësive dhe kushteve jo të përshtatshme gjatë natës.

Aksioni i këtyre dy ditëve të Kërkim Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është operacioni i dytë vetëm gjatë këtij viti, pas atij të Restelicës së Sharrit, nga 11-14 shkurt. (LajmeShqip.com)