Lajme Shqip Monday, 29 August 2011 19:00

Prishtinë – Bashkëpunëtorë të Portalit LajmeShqip.com, në Prishtinë, dhe të afërt me menaxhmentin e Aeroportit të Prishtinës, që së voni është marrë në koncesion nga kompania turke, Limak, bëjnë të ditur se punëtorë të Aeroportit janë revoltuar tejmase për faktin se, përkundër fundit të muajit dhe Festës së Bajramit, që në Kosovë respektohet si festë e veçantë, veçanërisht që lidhet me mbarimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, menaxhmenti iurk i ka lënë pa paga mbi 600 punëtorë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Burimi i bashkëpunëtorëve tanë bën të ditur se numër jashtëzakonoisht i madh i punëtorëve të Aeroportit mbajnë familjen me rrogën mesatare prej 400 eurove, që kanë punëtorët në këtë kompani dhe, si zakonisht, edhe në këtë vit, plani ka qenë për t’u furnizuar Natën e Bajramit, por që sivjet ka dështuar shkaku i mosdhënies së pagës mujore.

“Është e tmerrshme. Qeveria dhe të githa institucionet tjera kanë paguar rrogat për punëtorët që nga dita e premte, ndërsa punëtorët e Aeroportit nuk i kanë marrë as sot pagat. Na thanë që menaxherët kanë shkuar në Turqi dhe nuk mund të kryhet pagesa”, tha një punëtor, duke mos dashur të identifikohet.

Portali ka provuar të marrë një përgjigje zyrtarisht edhe nga zëdhënësi i kësaj kompanie Altin Ahmeti, por ai nuk e ka hapur telefonin. (LajmeShqip.com)