Lajme Shqip Monday, 19 September 2011 20:50

Prishtinë (PLOTËSUAR 12:51) – Ka përfunduar seanca e marrjes në pyetje të Nënkryetarit të PDK-së dhe deputetit Fatmir Limaj.

As avokati dhe as Limaj nuk janë prononcuar për mediat, pas seancës.

Seanca e marrjes në pyetje të Fatmir Limajt në prokurori pritet të vazhdojë më 10 dhe 12 tetor.

Vazhdimin e seancës për këto dy data e ka konfirmuar  avokati i Limajt.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR, E Mërkurë 09:02) – Nënkryetari i PDK-së dhe deputeti Fatmir Limaj, sapo hyri në Prokurori në ditën e dytë të marrjes në pyetje.

Ai dyshohet se është i është i përfshirë në dhënien e më shumë se 30 tenderëve në ndërtimin e rrugëve.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 16:42) – Marrja në pyetje e nënkryetarit të PDK-së dhe deputetit Fatmir Limaj pritet të vazhdojë edhe nesër, nga ora 09:00 e mëngjesit.

Sipas burimeve të afërta me mbrojtjen e Limajt, bëhet e ditur se nuk ka prova që ai ka kryer vepra penale dhe pritet që hetimet ndaj tij të pushojnë.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 16:31) – Fatmir Limaj sapo ka dalë nga Gjykata. Ai ka vazhduar i lirë në shtëpinë e tij.

Ndërkohë, portali e ka publikuar vendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për çështjen e imunitetit. Për ta lexuar klikoni këtu.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 16:12) – Në Prokurorinë Speciale të Kosovës sapo ka hyrë Francesco Florit, gjyqtar i procedurës paraprake, i cili ka lëshuar vendimin për nisjen e hetimeve dhe bastisjen në Ministrisë e Transportit, kur ishte nën udhëheqjen e Fatmir Limajt.

Bëhet e ditur se derisa ai si gjyqtar i procedurës paraprake ka hyrë sot në Prokurorinë Speciale, gjasat janë të mëdha që Limaj të arrestohet, pasi kjo koincidon edhe me publikimin e vendimit për interpretimin e çështjes së imunitetit, nga Gjykata Kushtetuese, ku është konstatuar se deputetët nuk gëzojnë imunitet në këtë rast.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR, 13:35) – Pas një pauze, deputeti Fatmir Limaj është kthyer në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të vazhduar me marrjen në pyetje.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR, 12:40) – Pas më shumë se dy orë, Fatmir Limaj, nën përcjelljen e avokatit të tij ka dalur nga gjykata dhe është futur në veturë për t’u larguar për një pauzë të shkurtër. Paraqitja e Limajt do të bëhet pak më vonë, për të vazhduar me marrjen në pyetje. Limaj dukej paksa nervoz.

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR, E Martë 10:01) – Nënkryetari i PDK-së dhe deputeti Fatmir Limaj, është paraqitur në këto momente Prokurorinë Speciale të Kosovës, i shoqëruar nga avokati Tahir Rrecaj.

Ai ka hyrë me veturë deri në hyrje të Prokurorisë.

Seanca pritet të zgjasë më shumë se një orë.

Portali do t’ju informojë në vazhdimësi me rrejdhat e këtij zhvillimi. (LajmeShqip.com)

****************************

Prishtinë – Ish-ministri i MTTP-së, Fatmir Limaj, do të dalë para gjykatës, të martën, për veprat që dyshohet se i ka bërë gjatë kohës sa ishte ministër. Limaj pritet që prej orës 10:00 të merret në pyetje nga prokurorë të EULEX-it në Prokurorinë Speciale të Kosovës, për katër vepra penale.

Ai po hetohet për më shumë se një vit për krim të organizuar, marrje të ryshfetit, shpërlarje parash dhe shpërdorim të detyrës zyrtare. Limaj pritet të merret në pyetje një vit e gjysmë pasi ministria që ka drejtuar dhe pronat e tij ishin bastisur në një aksion që Limaj e kishte cilësuar si spektakël për ta eliminuar nga skena politike.

Ai pritet të gjykohet në këtë vjeshtë edhe për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës që besohet të jenë kryer në vitin 1999, në Kleçkë të Lipjanit, në një kamp të UÇK-së.

Derisa Nënkryetari i PDK-së merret në pyetje, të martën është afati i fundit ligjor kur Gjykata Kushtetuese do të duhej të jepte një interpretim për imunitetin e zyrtarëve të lartë shtetërorë, nëse ata kanë imunitet nga arrestimet për krime siç janë ato të luftës.
Portali LajmeShqip.com do të ju informojë edhe të martën për procesin e marrjes në pyetje të ish-ministrit dhe deputetit Fatmir Limaj. (LajmeShqip.com)