Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 10:33

Prishtinë – Sot do të vazhdojë gjykimi i Fatmir Limajt në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, nën akuzën për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës. Ai po gjykohet për herë të dytë në jetën e tij për akuza të ngjashme. Akuza përfaqësohet nga prokurori italian Maorzio Salustro. Bashkë me Limajn janë të akuzuar edhe Nexhmi Krasniqi, Naser Krasniqi, Naser Shala, Sabit Shala, Refi Mazfreku, Arben Krasniqi, Shaban Shala, Behlul Limaj dhe Besim Shurdhaj.

Salustro i akuzon ata me akuza për krime lufte të kryera në fshatin Kleçkë në vitin 1999 në një burg të UÇK-së. Njëri nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur me nofkën e luftës “Çeliku”, akuzohet se ka urdhëruar dhe ka marrë pjesë në torturimin çnjerëzor të civilëve serbë e shqiptarë të paraburgosur në një kamp në fshatin Kleçkë.

Limaj do të gjykohet bazuar në dëshmitë e Agim Zogajt i cili u gjet i vdekur në shtator në Gjermani ku u tha se kishte bërë vetëvrasje. Ai u ka dhënë dëshmi prokurorëve për krime. U ka dorëzuar edhe ditarë me shënime për të burgosurit, vrasjet e disa prej tyre e detaje tjera.

Limaj në vitin 2005 ishte shpallur i pafajshëm në Hagë për krime lufte. Pritet se çfarë do të ndodh në këtë rast. (LajmeShqip.com)