Lajme Shqip Wednesday, 24 August 2011 19:37

Prishtinë – Deputeti dhe Nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, e ka akuzuar prokurorin italian Maorizio Salustro, i cili po e ndjekë penalisht për krime lufte. Limaj ka thënë se prokurori Salustro e ka humbur rrugën dhe nuk i intereson e vërteta.

Pas përfundimit të seancës për konfirmim të aktakuzës, që ka zgjatur mbi 7 orë, në gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Limaj ka thënë se ndjehet i pafajshëm dhe për ta dëshmuar këtë do ta ftojë të gjithë Shtabin e UçK-së, përfshirë edhe kryeministrin Hashim Thaçi, ashtu siç kishte paralajmëruar të martën portali LajmeShqip.com.

“Nuk e ndjej veten fajtor, absolutisht, për atë çka pretendon pala akuzuese. Gjithashtu, unë e shfrytëzova rastin që të futem në aktakuzë, sepse për herë të parë pata rastin që të ballafaqohem me palën akuzuese”, ka thënë deputeti Limaj.

Ai ka akuzuar mediat dhe opinionin se e ka pasur  cak të sulmeve për vite me radhë.

“Parimi im për sundim të ligjit, parimi im për të ecur përpara, parimi im për të mos u deklaruar, por vetëm në gjykatë e jo diku tjetër, tregon se jam rezervuar deri më sot dhe ju sot e keni vërejtur se unë jam lëshuar në disa pika të aktakuzës, në tri-katër raste, të cilat dëshmojnë qartë se prokurori e ka humbur rrugën e drejtë, nuk i intereson e vërteta, dhe shkon prapa, drejt një dëshmitari të konstruktuar, që ka vetëm një qëllim për ta arritur objektivin e tij dhe, objektivi i tij, normalisht, arrihet, siç ka thënë në media njëri nga oficerët e EULEX-it, se ata do të mund ta llogaritnis si sukses vetëm nëse do ta kapnin kokën time”.

Limaj ka vazhduar: “Unë ju siguroj që me argumentet dhe faktet që kemi, nuk do të lejojmë një gjë të tillë të ndodhë, sepse nuk do të lejojmë të ndërrohet historia. Krimi dhe kriminelë në Kosovë kanë qenë forcat serbe dhe jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe këtë do të vazhdojmë ta mbrojmë’’.

Gjatë seances, të mërkurën, avokatët mbrojtës janë ankuar në prokurorin se nuk ua ka dorëzuar të gjitha shkresat e lëndës. Mirëpo, prokurori është arsyetuar se disa pjesë të dëshmisë së dëshmitarit “X” kanë të bëjnë me një rast tjetër hetimi. Prokurori ka reaguar ndaj një avokati, që e ka publikuar emrin e dëshmitarit “X” në gjykatë.

Në seancë, prokurori ka deponuar edhe dy intervista të bëra pas ngritjes së aktakuzës, ato të Agim Çekut dhe Bislim Zyrapit. (LajmeShqip.com)