Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 13:25

Prishtinë – Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj pas një pauze të paraqitjes së tij në foltoren e Kuvendit është paraqitur gjatë debatit për situatën e sigurisë dhe sundimin e ligjit. Me këtë rast, ai duke rikujtuar thënien ‘askush mbi ligjin’, ka thënë se shumëkush në Kosovë po është mbi ligjin dhe sipas interesave politike.

Limaj ka ngritur çështjen e arrestimit dhe burgosjes së ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se ata po trajtohen si kriminelë dhe mafiozë dhe, sipas tij, arsye tjetër nuk ka vetëm që të paraqitet imazhi se këtu funksionojnë bandat dhe që t’i zgjatet edhe më tej misionit EULEX-it.

“Kërkoj që nga deklarimet të kalojmë në vepra, e jo pastaj të vijë një kohë që të kërkohet falje para njerëzve. Po e përsëris atë thënien e famshme ‘askush mbi ligjin’. Po shihet që shumëkush është mbi ligjin dhe shumëkush po bën si po do me ligjin, sipas interesave politike”, ka thënë Limaj.

Ai ka folur edhe për institucionin e Policisë së Kosovës, duke thënë se politika duhet të qëndrojë larg këtij institucioni dhe duhet të inkurajohen drejtuesit e saj që duke rritur profesionalizmin të bëjnë një vetëkontroll.

Limaj i ka kundërshtuar edhe deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, se situata e sigurisë është e qetë. Limaj tha se nuk ka besim të ndërsjellë ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare.

Mungesa e partneritetit sipas Limajt, është vërejtur me rastin  e arrestimit të drejtorit rajonal të policisë në Prizren, pa dijeninë e drejtorit, ministrit të Punëve të Brendshme dhe pa dijeninë e asnjë institucioni të Kosovës.