Lajme Shqip Friday, 18 March 2011 10:29

Prishtinë – Ndërkohë që mbrëmë Fatmir Limaj ka përcjellë gatishmërinë për ta lënë imunitetin, në mënyrë që, siç ka thënë ai, t’iu hapë rrugë organeve të drejtësisë në punën e tyre, Misioni i EULEX-it, ka deklaruar të premten se pret të sqarohet qartë çështja e imunitetit të Limajt, në mënyrë që të veprohet më tej.

Vullnetin e tij për të hequr dorë nga imuniteti, Limaj e ka shprehur në një konferencë me gazetarë.

“Ajo që them unë është që nuk kam asnjë interes dhe nuk lejoj veten që të fshihem prapa këtij privilegji që e kanë deputetët dhe këtu ka mbetur çështja. Ne nga ana jonë e kemi kryer punën tonë, e tash e tutje pritet që shkohet sipas ligjit”, ka thënë deputeti Limaj, në një konferencë për shtyp, derisa ka bërë të ditur se do të heqë dorë nga imuniteti që i ofron të qenit deputet i Parlamentit të Kosovës.

Këtë hap Nënkryetari i PDK-së e ka ndërmarrë një ditë pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga ana e EULEX-it, për krime të luftës në Kosovë, ku thuhet të jenë përfshirë edhe një numër ish-pjesëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëluftëtarë të Limajt.

“Unë kurrë nuk jam pajtuar, kurrë nuk do të pajtohem dhe askush nuk mund të më bindë se ushtarët e UÇK-së kanë bërë krime”, ka thënë Limaj, duke shtuar se “për fëmijët e gratë shtatzëna shqiptare, të vrarë e torturuar nga pushtuesit gjatë luftës në Kosovë, kurrë nuk pati drejtësi”.

Dita e sotme në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën po karakterizohet me zhvillime e qëndrime të ndryshme ndaj këtij rasti.

Përveç organizatave të luftës të UÇK-së dhe subjekteve të tjera politike e jopolitike të vendit, ndaj akuzimit të Limajt dhe pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, të cilët mbajnë përgjegjësi të ndryshme në institucionet e vendit, ka reaguar së fundmi edhe Qeveria e Kosovës, duke përcjellë indinjatën e saj dhe duke shprehur bindjen se të gjithë të akuzuarit janë të pafajshëm, kurse lufta e drejtë e UÇK-së do të dëshmohet edhe një herë.

Limaj, si i akuzuari kryesor ka shprehur habinë me faktin se ka reaguar edhe Qeevria e Kosovës. “Paska reaguar edhe qeveria, a”, ka thënë ai me ironi, duke shprehur habinë se, siç ka thënë ai, “Qeveria ka punë të tjera më të mëdha se kjo”.

Ish-komandant Çeliku dyshohet se ka urdhëruar dhe marrë pjesë në torturimin çnjerëzor të civilëve serbë e shqiptarë të paraburgosur në një kamp në fshatin Kleçkë në Komunën e Lipjanit.