Lajme Shqip Thursday, 17 March 2011 07:30

Prishtinë  – Deputeti Fatmir Limaj, i cili mbrëmë u paraqit vullnetarisht tek autoritetet e drejtësisë është liruar në orët e vona të natës.

Policia e EULEX-it ka arrestuar tetë persona në kuadër të hetimeve për krime të luftës. Një person tjetër është arrestuar në një shtet të huaj.

Në këtë kuadër, misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX, ka lëshuar flet-arrest edhe nënkryetarin e PDK-së, Fatmir Limajn.

Ky i fundit është paraqitur vullnetarisht në një bazë të EULEX-it në Fushë Kosovë, ku është intervistuar për dy orë nga ana e prokurorëve të EULEX-it.

Pak para mesnatës, i shoqëruar nga avokati i tij, Tomë Gashi, ish ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit është lënë i lirë, por nuk janë saktësuar procedurat e mëtejme. Avokati i tij Tomë Gashi ka thënë shkurt:

“Pas njoftimit që ka qenë ne jemi lajmëruar në EULEX, po e shihni duke dalë bashkërisht, sigurisht që zoti Limaj ka deklaruar se do të bashkëpunojë me drejtësinë dhe për sonte është i vetmi lajm që mund t‘ju themi ai është duke shkuar në shtëpi te familja e vet. Kjo është e vetmja çka mund të deklarojmë për sonte. Sigurisht që do të vazhdoj procedurat, por për sonte është vetëm kjo”, ka thënë Gashi.