Lajme Shqip Thursday, 27 March 2014 15:31

PDK dhe LDK kanë debatuar nëse në Ligjin për Veteranët duhet të përfitojnë edhe veteranët e FARK-ut.

Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi është shprehur se Ligji për Veteranët e Luftës do përfshirë të gjithë luftëtarët që kanë luftuar kundër forcave serbe.

“Nuk do t’i mohohet asnjë luftëtari të UCK-së të drejtat e tij dhe benificionet që i takojnë. Të gjithë njerëzit që kanë luftuar me armë në dorë kundër ushtrisë serbe dhe kanë bartur uniformën e UÇK-së”, është shprehur Thaçi, duke theksuar “S’kam takuar ndonjë ushtar tjetër përpos të UÇK’së”.

Kryeministri Hashim Thaçi ka konfirmuar marrëveshjen me Qeverinë e Bujar Bukoshit për unifikimin e forcave të UÇK-së dhe FARK-ut kundër forcave serbe.

Thaçi deklaroi se me ish-kryeministrin Bukoshi kishin rënë dakord për unifikimin e të gjitha forcave politike dhe ushtarake nën një emblemë siç ishte UÇK-ja.

“U pata pajtuar me Bujar Bukoshin që krejt ushtarët të luftojnë me emblemën e UÇK’së”, ka thënë Thaçi, në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri, ka kërkuar nga Kryeministri Thaçi që në ligjin për veteranët të përfshihen edhe luftëtarët që kanë qenë në komandën e Qeverisë së Bujar Bukoshit apo FARK-ut.

Para se të vendosnin për ligjin për veteranët deputetët kanë kërkuar dhjetë minuta pushim për t’u kthyer dhe për të vendosur nëse do të hyjë në rend të ditës Ligjipër Veteranët e Luftës. Pas diskutimeve dhe pas votimit është vendosur që ku ligj të mos hyjë në rend të ditës gjatë seancës së sotme parlamentare. /albeu/