Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 19:30

Tiranë – Komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare miratoi të martën, me votat e maxhorancës projektligjin “Për mbikqyrjen elektronike në fushën penale”, i cili parashikon vendosjen e një pajisjeje sinjalizuese për të dënuarit me dënime alternative.

Sipas relacionit shoqërues, teknikisht mbikqyrja elektronike do të funksionojë me një pajisje elektronike, e cila do të jetë e lidhur me një sallë operative, nga ku do të monitorohet respektimi i urdhrave të gjykatës nga personat e dënuar.

Ky model është praktikuar nga shumë vende të zhvilluara të botës dhe softi që do të blejë vendi ynë do të jetë nga modelet më të mira në treg. Ndërsa zbatimi i mbikqyrjes elektronike do të zvogëlojë koston që shteti duhet të paguajë për mbikqyrjen e një të dënuari nga 500 euro në muaj në 10 euro në muaj.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë, Ardit Hysa u shpreh se mbikqyrja elektronike do të përfshijë vendosjen e një byzylyku ose detektori në trupin e personit dhe do të mbikqyret nga policia 24 orë dhe nga Drejtoria e Burgjeve.

“Kemi menduar që të jetë një numër prej 300 të dënuarish në Tiranë vitin e ardhshëm e më pas për t’u shtrirë në rrethet e tjera të vendit. Ajo që është shumë e rëndësishme është garantimi që duhet t’u bëhet qytetarëve për sigurinë e tyre. Personat që kryejnë vepra penale duhet të qëndrojnë brenda mureve të trasha të burgut dhe sigurisht qytetarët paguajnë edhe qeveria i garanton ata, duke ndërtuar burgje të sigurisë së lartë”, tha ai.

Nga ana tjetër, sipas Hysës, personat që nuk kryejnë vepra të rënda penale, apo janë në arrest shtëpie, duhet që të mos ruhen nga policia, që taksapaguesit dhe qeveria të mos paguajnë pafundësisht për ruajtjen e tyre, por do të mbikqyren në mënyrë elektronike, një model ky shumë i përhapur kohët e fundit.

Me vendosjen e një sistemi mbikqyrës elektronik mundësia e një personi në arrest shtëpie për t’u arratisur apo larguar është zero, sepse sistemi i tillë i aplikuar gjerësisht në Evropë dhe SHBA garanton 100% identifikimin e shpejtë dhe neutralizimin e autorit, ndaj dhe mundësia e largimit është zero. Edhe personat që janë në arrest shtëpie dhe tentojnë të largohen e të kryejnë vepra të tjera penale nuk do të munden, pasi do të neutralizohen menjëherë nga policia dhe masat ndëshkuese do të jenë më të ashpra.