Lajme Shqip Thursday, 03 November 2011 12:07

Partia Socialiste ka vijuar betejën e saj në parlament kundë miratimit të ligjit për mbetjet duke replikuar ashpër me qeverinë.

Deputeti i PS-së, Blendi Klosi. Deputeti i PS-së i bëri thirrje të gjithë deputetëve që ndodhen në sallën e Kuvendit, të mos e votojë këtë ligj që do kthehet në gangrenë për Shqipërinë.  Sipas tij “ky ligj ka ngjallur interesin e opinionit publik kudo që jetojë shqiptarët.

Ky ligj është qoka e radhës që kryeministri i bën ndonjë klani klientelist. Ky ligj tregon se Shqipëria do të bëhet vend grumbullimi për plera, kërkohet që Shqipëria të bëhet depo plehrash. Është një ligj që në asnjë nen të tij nuk flet qartë për menaxhimin e plehrave.

“Plehrat janë kthyer në një gangrenë për Shqipërinë. Ky ligj duhet të jetë si asnjë tjetër, duhet të kërkojë referendum. Pse keni frikë nga opinioni shqiptar? Pse të mos i dëgjojmë para se të votojmë me kartonat që ata na i kanë dhënë në dorë? Votojmë një ligj që na ndikon të gjithëve.

Deputetë mos e votoni ketë ligj, në emër të fëmijëve, prindërve e brezave që do vijnë”, nënvizoi Klosi. Në një batutë të fundit Klosi i’u drejtua deputetëve demokratë me këto fjalë:
“Mbase nuk do jeni më në listat për deputetë se Berisha nuk do ju lejojë, por është më mirë”, tha Klosi më tej.

Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu mori fjalën menjëherë pas deputetit të PS, Klosi. Mediu tha që sot deputetët duhet të heqin mentalitetin që kanë krijuar për të cilësuar këtë ligj si ligj plehrash, pasi bëhet fjalë për “ligjin e menazhimit të mbetjeve dhe jo për ligjin e plehrave”, tha ai.

Pak ditë më parë presidenti i republikës Bamir Topi vendosi të mos e dekretonte ligjin e plehrave dhe e ktheu për rishqyrtim në kuvend, nismë e cila solli një tjetër acarim të mardhënieve mes tij dhe kryeministrit te vendit Sali Berisha.