Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 19:00

Tiranë – Ligji i mbetjeve, i miratuar së fundi nga Kuvendi, është në përputhje të plotë me prioritetet politike të Bashkimit Evropian për mjedisin. Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Fatmir Mediu, e ka marrë këtë garanci nga Komisionari Evropian për Mjedisin, Janez Potiçnik.

Por, për Potiçnik, për qeverinë shqiptare është e rëndësishme zbatimi korrekt i kuadrit ligjor në përgjithësi, i këtij ligji në veçanti. Referuar këtij takimi, Mediu tha se “komisionari Potoçnik ndau të njëjtën bindje me ne, që ligji është në përputhje me direktivën evropiane. Dhe këtë qëndrim komisionari e mbajti pas analizës që DG Enviroment i ka bërë legjislacionit. Kjo strukturë ka vlerësuar se ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”.

Mediu tha se “qeveria shqiptare i ka mbyllur derën importit të pakontrolluar të mbetjeve. Nga 484 lloje mbetjesh që importoheshin më parë, tashmë lista është reduktuar në 55, që i përkasin listës së gjelbër”. Sipas tij, qeveria shqiptare ka përcaktuar edhe një procedurë për lejet mjedisore, të cilën në fakt nuk e kanë as disa prej vendeve më të zhvilluara të BE, te të cilat lejet e importit i lëshon ministri i Mjedisit, ndërsa në Shqipëri mund të merret vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ligji për menaxhimin e mbetjeve është shoqëruar me debate të shumta jo vetëm në Kuvend, por është hasur edhe me kundërshtimin e shoqërisë civile, e cila ka depozituar dhe një kërkesë për referendum. Lidhur me këtë, ministri Mediu vlerëson shqetësimin e shoqërisë civile, sepse kjo, sipas tij, “e ngre nivelin e diskutimeve për çështjet mjedisore në Shqipëri dhe pa diskutim që na vë përpara një përgjegjësie më të madhe”.

Ndërkohë, ai u ka bërë thirrje ekspertëve të fushës të analizojnë 55 mbetjet e listës së gjelbër, për të cilat lejohet importi. Nëse gjykojnë se ndonjë prej tyre paraqet rrezikshmëri, Ministria e Mjedisit mirëpret të gjitha sugjerimet apo vërejtjet e argumentuara dhe jemi gati të ndërhyjmë të përmirësojmë këtë listë, tha Mediu.

Ligji i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve është në kuadër të përafrimit e legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Evropian, me direktivat Evropiane mjedisore, i kërkuar në raportet e përvitshme të BE. BE, nëpërmjet projektit INPAEL, ka mbështetur MMPAU në përgatitjen e kuadrit ligjor mjedisor. Ndërkohë, sugjerime rreth ligjit në adresë të MMPAU kanë ardhur vetëm nga grupi EKO Lëvizja, e cila përmban në vetvete një numër të madh shoqatash mjedisore. Sugjerimi ishte që në ligj të parashikohej detyrimi se importi për riciklim do të lejohej pasi këto industri të kishin ricikluar gjithë sasinë e mundshme brenda vendit, çka dhe u mor në konsideratë pa asnjë hezitim.

Ndërkohë, sipas Mediut, ligji hap rrugën për përcaktimin e rregullave të detajuara për trajtimin e mbetjeve organike, në mënyrë që të kompostohen dhe të ripërdoren. Po kështu, ligji hap rrugën për përcaktimin e rregullave të detajuara për trajtimin e ambalazheve, në mënyrë që ato të mos hidhen, por të ripërdoren dhe riciklohen, si dhe të një kuadri ligjor të detajuar për ndërtimin e landfilleve (si rregull rajonale), formave te tyre, lëndëve që pranojnë, etj.

Mediu tha se “legjislacioni i ri në fushën e mbetjeve është shumë më konservator sesa ai i mëparshmi”. Në ndryshim nga kuadri ligjor pararendës, ligji i ri hyn në sqarimin e një pjese të procedurave të importit, duke i forcuar ato në raport me të shkuarën.