Lajme Shqip Thursday, 06 December 2012 13:51

TIRANE– Komisioni i Ligjeve miratoi sot dekretin e presidentit Bujar Nishani që kryeprokurori i ri të vendit të jetë Adriatik Llalla. Pasi u dëgjua në komision kandidatura e Llallës mori miratimin e shumicës, ndërsa opozita abstenoi.

Në argumentin e tij, Sajmir Tahiri tha se opozita e abstenoi kandidaturën e Lallës, pasi e quan dekretin antikushtetues. Sipas, tij, dekreti nuk duhet të vinte në këtë kohë.

Adriatik Llalla gjatë seancës së sotme dëgjimore deklaroi përpara Komisionit të Ligjeve se sot përpara Prokurorit të Përgjithshëm ka disa sfida të cilat ai duhet t’i kalojë.

 “Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përballet sot me disa sfida të rëndësishme ndër të cilat do të vecoja rritjen e besimit të publikut ndaj këtij institucioni, si një nga organet përgjegjëse për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Unë jam i vetëdijshëm për vështirësitë në arritjen e këtij objektivi, duke parë gjëndjen aktuale, por kam besim se është një objektiv tërësisht i mundshëm. Natyrisht për të pasur sukses në këtë sfidë prioritare është lufta ndaj fenomeneve antiligjore brenda instituciontit të akuzës. Ky do të jetë hapi i parë dhe më i rëndësishëm që do të jap për forcimin e besimit të publikut ndaj aktivitetit të Prokurorisë”, tha Llalla.

Ai shtoi më tej se prokurori duhet t’i marrë vendimet në mënyrë të pavarur nga krimi e politika, ndërsa vecoi integritetin, si armën kryesore të suksesit. 

Më 3 dhjetor presidenti Nishani dekretoi Adriatik Llallën në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës. Në relacionin shoqërues të dekretit presidencial, Nishani vlerësonte eksperiencën e gjatë të tij në strukturat e organit më të lartë të akuzës në vend, ku ai ka kryer detyra të ndryshme.
Kreu i shtetit gjithashtu shprehte vlerësimin për zgjedhjen e tij konsensuale nga Kuvendi në postin e kryetarit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, një institucion, që sipas presidentit Nishani, ka marrë vlerësime nga partnerët ndërkombëtarë për pavarësinë dhe mënyrën e konsoliduar të funksionimit. 

Tashmë kandidatura e dekretuar nga kreu i shtetit dhe e miratuar nga Komisioni i Ligjeve do t’i përcillet Kuvendit për miratimin në seancë plenare.(LajmeShqip.com)