Lajme Shqip Saturday, 04 February 2012 14:45

Tiranë- Disa ndryshime në kodin civil dhe kodin penal, miratimi i të cilave kërkon 3/5 e votave të anëtarëve të parlamentit, pritet të shqyrtohen gjatë kësaj jave në komisionet parlamentare.

Konsensusi në mbledhjen e fundit (1 shkurt) të Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare përfshiu në kalendarin 3-javor të punimeve (6-24 shkurt), shqyrtimin e disa ndryshimeve në dy kodet e mësipërme.

Sipas kalendarit të punës së Kuvendit, pas shqyrtimit në komisione, kodi penal dhe ai civil do t’i kalojnë për diskutim seancës plenare të 16 shkurtit, ku pritet dhe miratimi i tyre.

Gjithashtu, në kalendarin trejavor është përfshirë dhe nisja e diskutimit të pr/ligjit “Për Gjykatën Administrative”, i cili pret miratimin nga viti 2009.

Miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar në Kuvend, të mbetura pezull prej gati dy vjetësh nga mungesa e konsensusit të opozitës socialiste, u çbllokua me marrëveshjen dypalëshe PD-PS të 14 nëntorit 2011.

Me anë të kësaj marrëveshje palët arritën kompromisin që për ligjet, për të cilat kishin më pak kundërshti, të miratoheshin brenda dhjetorit të vitit të kaluar, ndërsa të tjera si kodi penal, kodi civil apo ‘gjykata administrative’ do të përfshiheshin gradualisht në kalendarët trejavorë, me angazhimin që ky proces të përfundonte brenda marsit 2012.

Seanca plenare e 17 nëntorit 2011 shënoi dhe miratimin e disa ndryshimeve në kodin hekurudhor dhe kodin detar, të cilat çbllokuan dhe paketën e drafteve me 3/5, pas një krize të gjatë dhe të vështirë dyvjeçare maxhorancë-opozitë.