Lajme Shqip Thursday, 06 June 2013 13:21

Prishtinë – Megjithëse ishte raportuar se Bashkësia Islame e Kosovës ka marrë vendim se ka suspenduar hoxhën, njëherit imamin (prijësin) Irfan Salihu, i njëjti institucion ka mohuar lajmin.

Kryeimami i BIK, Sabri Bajgora, në rrjetin social Facebook, ka thënë se lajmi i publikuar në edicionin e rregullt të lajmeve të orës 13:15 në RTK, sot (06.06.2013, e enjte) se “Myftiu Ternava, pas takimit me gratë deputete të Parlamentit të Kosovës, suspendoi nga puna, imamin nga Prizreni, Irfan ef. Salihu, për gjuhën e përdorur të tij gjatë ligjëratës së ditës së premte, kundrejt gjinisë femërore”, është i pavërtetë.
“Bashkësia Islame e Kosovës përgënjeshtron këtë informacion të plasuar nga RTK. Një gjë e tillë nuk qëndron, përderisa me rastin në fjalë, Kryesia do të merret konform Kushtetutës së BIK dhe ligjeve në fuqi. Pas shqyrtimit dhe ndjekjes së procedurave të rregullta ligjore të BIK-ut, Kryesia do të del me një deklaratë apo qëndrim publik për opinionin kosovar”, është shprehur Kryeimami i BIK-ut, Sabri Bajgora.
Pas plasimit të lajmit se hoxha Irfan Salihu është suspenduar nga detyra, menjëherë kanë filluar mesazhet përshëndetëse në adresë të BIK-ut.
Madje ishte edhe vetë Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku e cila në rrjetin social Facebook shkroi:
“Pergezoj Bashkesine Islame te Kosoves! Shkarkimi I te ashtuquajturit hoxhe eshte fitore e emancipimit ndaj regresit! Fitore e vlerave njerezore! Bashkesia Islame mbrojti jo vetem gruan, po mbrojti Islamin e vertete dhe autokton qe si Shqiptarë e kemi kultivuar nder vite!”

Ndërkohë, ky rast ka ngjallur debat edhe në Kuvendin e Kosovës. 

Deputetja e Lidhjes Demokratike, Teuta Sahatçija, ka kërkuar nga Bashkësia Islame e Kosovës që të distancohen nga ky akt.

“Kërkojmë që Bashkësia Islame të distancohet nga kjo mënyrë e predikimit të fesë. Kërkojmë prej BIKU-t që të shndërrojë xhaminë në një tempull ku predikohet paqja, dashuria e ndihma për njerëzit kanë nevojë. Atë që dëgjuam nga incizimi i është e kundërta e atij islami që ne e njohim. Incizimi ishte një breshëri i emocioneve të shfrenuara. Ishte një predikim i dhunës. Në të njëjtën kohë i amniston burrat dhe djemtë dhe i udhëzon që t’i gjuajnë në rrugë dhe të ushtrojnë dhunë ndaj grave të tyre”, citon KTV deklaratën e Sahatçiut.

 Reagime të ashpra erdhën edhe nga deputetet tjera Alma Lama dhe Blerta Deliu-Kodra. Por, në mbrojtje të hoxhës ka dalë deputeti i partisë së drejtësisë Gëzim Kelmendi. 

“Pse gratë deputete nuk kanë reaguar lidhur me rastin e koleges së Hoxhës në shkollën “Zenel Hajdini”, ku një mësues i edukatës fizike ngacmoi seksualisht një vajzë të shkollës së mesme. Pse ju nuk reaguat kur në Mitrovicë në vitin e kaluar u ngacmua nga arsimtari nxënësja e shkollës fillore, pse në vitin e kaluar kur është dhunuar një vajzë nga mësuesi i saj nuk reaguat.Këto janë akte më të rënda sesa kritika ndaj amoralitetit. Dhe këtu u përmend se BIK-u duhet të distancohet nga ky qëndrim. Unë u them këtyre zonjave të nderuara, fillimisht këto duhet t’i kërkojnë falje Bashkësisë Islame dhe qytetarëve të Kosovës sepse këto me dorën e tyre kanë votuar kundër mbulesës në shkolla”, ka thënë Kelmendi.