Lajme Shqip Wednesday, 02 May 2012 16:45

Tiranë – Qeveria shqiptare miratoi të mërkurën një ligj të veçantë, që synon të lejojë grupin hetimor të EULEX-it për të hetuar në Shqipëri, lidhur me akuzat e ish-senatorit Dick Marty, për trafik organesh në vendin tonë.

Duke folur në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha theksoi se ky ligj do të bëjë të mundur një hetim të plotë ndaj akuzave të ngritura nga Marty. “Dua të faktoj që këto akuza shumë të rënda që bëhen për udhëheqjen politike të Kosovës, por dhe për Shqipërinë të zbardhen me vërtetësinë më të madhe. Për këtë, Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar me ekspertët e EULEX dhe ligji do të bëjë të mundur një hetim të plotë, ndërsa baza ligjore do të japë një mbështetje të fuqishme”, theksoi Berisha.

Ndërsa i cilësoi të pavërteta akuzat e ish-senatorit Dick Marty, kryeministri nënvizoi se akuza të tilla nuk janë bërë as në kohën e Sllobodan Millosheviçit. “Ky dokument nuk bazohet në asnjë fakt evident. Dick Marty ka zgjedhur Fushë-Krujën për qëllimet e tij, por hetimi do të nxjerrë të vërtetën”.

Ai vuri në dukje se dokumenti dëshmon qartë qëllimet politike dhe ish-senatori Marty është i njohur për qëndrimet e tij antishqiptare. (LajmeShqip.com)