Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 19:40

Prishtinë – Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në një fjalim mbajtur në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka kërkuar nga Brukseli që Kosova të mos mbetet një shtet i harruar në zemër të Evropës.
“Nëse brenda këtij viti ne nuk do të marrim udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, ky do të ishte mesazhi më negativ për qytetarët e Kosovës. Ne jemi qytetarët e vetëm në rajon që nuk kemi të drejtën e lëvizjes pa viza në Evropë”, tha ai.
“Do të ishte shumë keq nëse përçohet mesazhi se kosovarët janë popull i harruar. Prandaj, ne kërkojmë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, në mënyrë që të vazhdojmë përmbushjen e standardeve evropiane”, ka thënë Hoxhaj, gjatë fjalimit para eurodeputetëve.
Hoxhaj ka shprehur përkushtimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vazhdimin e reformave të gjithëmbarshme, duke e veçuar angazhimin prioritar për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Por, nëse shteti i Kosovës është i vetmi vend që është i përjashtuar nga iniciativat dhe mekanizmat rajonale dhe evropiane,  ky ambient nuk është ambienti më i mirë për të zhvilluar biznes. Ne jemi duke operuar si një ishull i izoluar nga rajoni dhe Evropa. Prandaj, kërkojmë ndihmën tuaj që sa më shpejt, brenda këtij viti, Republika e Kosovës të ketë marrëdhënie kontraktuale, marrëdhënie tregtare me Bashkimin Evropian. Kjo do të ishte një ndihmë shumë e madhe dhe e drejtpërdrejt në zhvillimin ekoomik të Kosovës”, ka theksuar Hoxhaj.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, gjatë ditës ka zhvilluar një takim të veçantë edhe me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek.
Gjatë takimit, Hoxhaj dhe Lunacek kanë biseduar për perspektiven evropiane të Kosovës, dhe mënyrat e përshpejtimit të këtij procesi.
Ndërkaq, gjatë takimit me Eduard Kukan, kryesues i delegacionit të PE-së në marrëdhëniet me Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë, Ministri Hoxhaj e ka falënderuar atë për mbështetjen që i ka dhënë rajonit dhe Kosovës në të gjitha proceset progresive të viteve të fundit.
Eduard Kukan ka thënë se Kosova ka perspektivë evropiane, duke shtuar se Kosova duhet të ketë trajtimin e njëjtë me shtete tjera të rajonit edhe sa i përket liberalizimit të vizave, ndajn i bëj “thirrje Komisionit Evropian që mos të humbas kohë, por të fillojë dialogun për procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën dhe të jap udhërrëfyesin për këtë proces”.