Lajme Shqip Sunday, 30 June 2013 21:27

Prishtinë – Komuniteti LGBT (lesbike, homoseksualë, biseksualë dhe transeksualë) vazhdon të jetë i kërcënuar dhe i rrezikuar nga pjesa tjetër e shoqërisë në Kosovë.
Ky është konstatimi i nxjerrë nga një hulumtim i realizuar nga organizata “GBC/Prishtinë” me titull “Perceptimet e pozitës së komunitetit LGBT në Kosovë”, të cilin e ka siguruar Gazeta Express.
Hulumtimi ka nxjerr disa të dhëna interesante për pozitën e komunitetit LGBT në shoqërinë kosovare.
Aty është evidentuar një shkallë të lartë të qëndrimeve të ashpra negative ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti.
Gati gjysma e të anketuarve mendojnë se homoseksualiteti është sëmundje (47.6 %) deri tek ato konsiderojnë se ky fenomen është i rrezikshëm për shoqërinë (61.6 %).
“Si rezultat i këtyre qëndrimeve të anketuarit janë të mbështetje të politikave të tilla të ashpra si ndalimi me ligj dhe ndëshkimi i LGBD (50.6 %), apo ndalimi i martesave të gjinisë së njëjtë (57.3 %)”, thuhet në hulumtim.
Ndërkohë, një përqindje e theksuar e të anketuarve konsiderojnë se homoseksualët lindin të tillë ( 40.7 %), se homoseksualiteti ka ekzistuar gjithmonë ( 36.1 %), dhe se dikur fshihej, por sot flitet dhe shfaqet hapur për te (57.5 %).
Aty thuhet se qëndrimi tjetër pozitiv ndaj homoseksualëve është se ata duhet t’i kenë të gjitha të drejtat si pjesëtarët e tjerë të shoqërisë.
“37.9 për qind e të anketuarve e aprovojnë këtë qëndrim, përkundër 28.4 për qind që kanë mendim të kundërt (ndërkaq që në këtë kategori saktësisht 1/3 e të anketuarëve, ose 33.7 % nuk e kanë deklaruar mendimin)”.
Në hulumtim janë nxjerr edhe disa përfundimet të cilat japin pasqyrë për gjendjen e komunitetit LGBT në Kosovë.
“Homoseksualiteti vazhdon të jetë një tabu e madhe në shoqërinë kosovare, qoftë në familje, qoftë në shkollë, në media apo edhe në nivele të tjera. Tematizimi i tij bëhet vetëm në formë të “humorit mes miqsh”, por jo edhe si çështje që meriton diskutim serioz e të thelluar”, thuhet në përfundimet e hulumtimit.
Sipas hulumtimit, ekziston një dhunë e trefishtë ndaj Komunitetit LGBD në Kosovë : dhunë fizike nga qytetarët e rëndomtë, dhunë e herë pas hershme nga zyrtarët publik dhe dhunë strukturore.
“Lidhur me paradën e krenarisë dominon opinioni se shoqëria kosovare ende nuk është e përgatitur që të reagoj ose paqësisht ose me indiferencë ndaj zhvillimit të një parade të tillë”, thuhet aty.
Sipas këtij dokumenti, për përmirësimin e pozitës së komunitetit LGBD në Kosovë mendohet se rruga më e mirë është aplikimi i strategjive të vetëdijesimit në nivele të mediave dhe shkollave, duke mos përjashtuar edhe detabuizimin e kësaj teme edhe brenda familjeve.
Në këtë hulumtim janë realizuar 755 anketa, prej tyre janë ndërtuar 3 mostra, e para reprezentative prej 686 respondentëve ku respondentët serbë dhe të minoriteteve të tjera janë llogaritur në përqindjet reale sa janë prezent në strukturën demografike të Kosovës. Mostra e dytë ka qenë ajo e shqiptarëve, si etni dominante në Kosovë e përbërë prej 623 resepondentëve.
Sidoqoftë, në hulumtim janë nxjerr të dhëna se qytetarët e Kosovës kanë njohuri për komunitetin LGBT.
Kështu që në pyetjen drejtuar të anketuarve mbi njohuritë rreth çështjes së komunitetit LGBD, në nivel të Kosovës 71.7 për qind janë deklaruar se kanë njohuri mbi këtë çështje. Në aspektin e dallimeve ndëretnike 71.9 për qind e të anketuarve shqiptarë e japin këtë përgjigje, ndërsa nga të anketuarit prej komuniteteve në kuotën prej 69.2 për qind.
Ky qëndrim patriarkal është homofobik, mirëpo origjina e tij lidhet me mentalitetin etnocentrik, sipas të cilit “tradita nacionale shqiptare nuk i pranon praktika të tilla si homoseksualizmi”. Në këtë perspektivë qëndrimi homofobik arsyetohet me idenë se “ne si popull jemi kundër homoseksualizmit, jo pse jemi mysliman, por sepse jemi shqiptarë”.
Sipas hulumtimit, në nivel të Kosovës, 86.3 për qind e të anketuar janë deklaruar se nuk njohin apo nuk kanë njohje personale me persona të komunitetit LGBD. Kjo përqindje është edhe më e lartë tek të anketuarit shqiptar ( 88.3 %), dhe më e ulët tek minoritetet (67.4 %). Tek këto të fundit vërehet një njohje më e madhe personale me prestarët e komunitetit LGBD ( 22.7 %).
Pse dikush bëhet homoseksual?
Debati i zhvilluar në Kosovë mbi homoseksualitetin, përveç tjerash, ka prekur edhe dimensionin e orgjinë së këtij fenomeni, nëse është fenomen i lindur dhe i përcaktuar nga vetë natyra, apo produkt i rrethinës sociale në të cilën jeton individi me orientim homoseksual, ose në anën tjetër një çështje mode sociale?
Në nivel të Kosovës 39.9 përqind e të anketuarve kanë vlerësuar se ky fenomen është lindur. Tek të anketuarit shqiptarë një mendim të tillë e ndajnë 42.4 për qind, ndërsa tek minoritetet dukshëm më pak, 25.8 për qind.Ndërkaq 28.5 përqind në nivel të Kosovës, 28. 4 për qind nga të anketuarit shqiptar, dhe 24.2 për qind nga ata të minoriteteve konsiderojnë se homoseksualiteti është produkt i rrethit social.
Nga kjo shihet se pikëpamja mbi origjinën natyrore të homosekualiteti është dukshëm më e përhapur, sidomos tek shqiptarët. Tek minoritet ndërkaq dominon opinioni i mosnjohurisë mbi këtë problem (41.7 %).
Veç kësaj hulumtimi ka nxjerr të dhëna se homosekualiteti dhe çështja e komunitetit LGB në Kosovë është problematizuar dhe tematizuar nga presioni i vendeve perëndimore.
“Kjo pikëpamje ka një përkrahje të gjerë në nivelin e Kosovës ( 68.3 % ), tek shqiptarët ( 67.8 %) dhe edhe më të lartë tek minoritetet (70.4 %)”, thuhet në konstatimet e hulumtimit.
Megjithëkëtë, hulumtimi nxjerr të dhëna interesante edhe sa i përket debatit dhe fshehjes së identitetit LGBT .
Kësisoj 57 për qind e të anketuarve në nivel të Kosovës konsiderojnë se homosekualiteti që dikur fshihej, tani shfaqet hapur. 56.2 për qind e të anketuarve shqiptarë dhe 70.5 për qind e të anketuarve nga minoritet e ndajnë një opinion të tillë.