Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 09:33

Lezhë – Policia e Lezhës arrestoi sot autorin e dyshuar për plagosje të kandidatit të “Aleancës për qytetarin ” për zgjedhjet vendore të 8 majit, në komunën Balldre të qarkut të Lezhës, Zef Doçi.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë së qarkut të Lezhës, shtetasi Almarin Marinaj, 24 vjeç, u arrestua si i dyshuar për plagosjen e Doçit. Burimet theksuan se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive banale.

Kandidati për zgjedhjet vendore të 8 majit i grupimit “Aleanca për qytetarin” për komunen Balldre të Lezhës, Zef Doci rreth 50 vjeç, u plagos mbrëmjen e të shtunës në një pritë nga disa persona me dy automjete në rrugën që lidh Lezhën me Balldren.

Mësohet se kandidati Doçi po kthehej në fshatin Balldre pas një takimi elektoral me banorë të zones.

I plagosuri u përcoll në spitalin e Lezhës ku pasi mori mjekimin e duhur, është jashtë rrezikut për jetën.

Kjo ngjarje shënon të dytën, pas asaj të ndodhur dy ditë më parë në komunën e Dajtit, kur një person qëlloi mbi kandidatin e PD-së për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet vendore të 8 majit.