Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 19:00

Tiranë – Duke përshëndetur 8 Dhjetorin , “Ditën Kombëtare të Rinisë”, Presidenti Bamir Topi ju bëri një apel të gjithë të rinjve për të pasur një rol më aktiv shoqëror, për t’u dëgjuar zëri i tyre në çdo aspekt të vendimmarrjes politike dhe të sfidave të përbashkëta shoqërore.

Nëpërmjet një mesazhi të publikuar në faqen e presidencës, Kreu i shtetit thekson se “brezi ynë i ri është pasuria më e madhe që ne kemi, ndaj edhe shteti e shoqëria do të duhet që problematikat dhe interesat e tyre të shumta t’i kenë përparësi si investimi më i sigurtë për të sotmen dhe të ardhmen”.

Topi deklaron se për shumë motive Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90 është dhe mbetet një nga ngjarjet më kulmore në historinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

“Asnjëherë më parë nuk kemi pasur një lëvizje kaq elitare, përfaqësuese dhe idealiste, me një ndjenjë të lartë qytetarie dhe përgjegjësie ndaj vendit dhe fateve të tij. Ai brez pati kurajën t’i kundërvihej njërit prej regjimeve më staliniste në Evropë, pati mençurinë të shpaloste një program kërkesash politike thellës

isht demokratike dhe evropiane, si dhe pati aftësinë të administrojë kontributet më të çmuara të mendimit liberal dhe intelektual të kohës”, shton ai.

Presidenti vë në dukje se “nderimi ynë shkon sot tek të gjithë ata të rinj

studentë që me 8 dhjetor ’90-të ndryshuan njëherë e mirë historinë e vetes, familjes dhe të mbarë Shqipërisë. Një nderimi i veçantë shkon për Azem Hajdarin, studentin udhëheqës të Lëvizjes Studentore, për Arben Brocin dhe emra të tjerë përfaqësues të kësaj lëvizjeje, që u ndanë nga jeta në përpjekje për të mbrojtur dhe promovuar parimet politike për të cilat u ngritën në Dhjetor ’90-të”.

Më tej, Topi shton se gjatë këtyre viteve është bërë përparim i dukshëm, demokracia dhe shteti i së drejtës kanë shënuar arritje, Shqipëria është vend anëtar në NATO dhe me perspektivë të qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kam bindjen e thellë se ky bilanc do të kishte qenë edhe më pozitiv, se demokracia në Shqipëri do të kishte qenë edhe më e fortë dhe integrimi euroatlantik edhe më i shpejtë dhe i plotë, nëse klasa politike shqiptare e tranzicionit do të ishte udhëhequr në veprimet e saj nga të njëjtat parime idealiste dhe qytetare të Lëvizjes Studentore të vitit ’90-të”, përfundon mesazhi i kreut të shtetit, duke uruar të gjithë të rinjtë në Ditën Kombëtare të Rinisë.