Lajme Shqip Saturday, 22 December 2012 17:16

Prishtinë – Lëvizja për Bashkim e konsideron qëndrimin e  FIFA-s për futbollin e Kosovës në përgjithësi dhe vendimin e fundit për zhvillimin e ndeshjeve miqësore të reprezentacioneve të ndryshme të Kosovës, si  skandaloz. Sipas LB-së, ai vendim, i cili i sugjeron Kosovës se për zhvillimin e miqësoreve në territorin e Kosovës duhet të pyetet Serbia, i tejkalon edhe aspiratat e Serbisë të shprehura në platformën e fundit të saj.

Ky vendim dhe trajtimi trembëdhjetëvjeçar i futbollit kosovar nga ana e FIFA-s dhe UEFA-s dëmton rëndë futbollin e Kosovës, mbyt iniciativat e investimeve në futboll, dëmton talentet e shumta sportive si dhe një varg pasojash tjera.

Lëvizja për Bashkim kërkon ndërhyrjen urgjente të institucioneve të Kosovës dhe të Shqipërisë në këtë çështje. Është momenti i funtit që Kosova e Shqipëria të ulen dhe ta trajtojnë seriozisht këtë problematikë dhe të gjejnë zgjidhje për të, pasi që angazhimi serioz gjithmonë rezulton me zgjidhje. Një union i federatave të futbollit të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, i cili do të çonte në një kombëtare të përbashkët dhe në liga të përbashkëta, do të ishte përgjigjja më e mirë ndaj situatës.(K.N/LajmeShqip.com)