Lajme Shqip Wednesday, 14 December 2011 23:51

Tiranë-Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, nënshkroi sot së bashku me ministrin e Jashtëm maqedonas, Nikola Poposki, marrëveshjen për lëvizjen mes dy vendeve me karta identiteti.

“Pas takimit të Komisionit të partneritetit të vendeve të A5 dhe SHBA nënshkruajmë një marrëveshje mjaft të rëndësishme me Maqedoninë për lëvizjen mes dy vendeve me kartë identiteti”, tha Haxhinasto. 

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se të dy ministrat e kanë cilësuar nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje si një hap shumë konkret që do të rrisë mundësitë për bashkëpunim mes dy vendeve dhe do të lehtësojë kalimin e kufirit për të realizuar qëllimet e dy vendeve siç janë lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve dhe angazhimet e tyre për integrimin në BE.

Po sot zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, nënshkroi një marrëveshje me ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Milan Rocen, për lëvizjen e lirë mes dy vendeve me kartë identiteti, e cila gjithashtu do të shërbejë për një bashkëpunim më të madh mes dy vendeve për të çuar më tej axhendat kombëtare të integrimit.